Nostalgji për “Portokallinë”?/ Erion Isai përgjigjet shkurt, tashmë kam dashurinë e re… – AlpeGossip
Nostalgji për “Portokallinë”?/ Erion Isai përgjigjet shkurt, tashmë kam dashurinë e re…

Nostalgji për “Portokallinë”?/ Erion Isai përgjigjet shkurt, tashmë kam dashurinë e re…

Janë miq për kokë, ndaj rrugën e karrierës do e vazhdojnë po bashkë me programin e ri televiziv, që janë duke përgatitur.
Dialogjet e tyre të humorit kanë rezultuar të suksesshëm prej vitesh në spektaklin e humorit “Portokalli”, ndaj Erion Isai dhe Bes Kallaku nuk mund të heqin dorë nga kjo formulë televizive.

Dikur, çifti i pandarë në duetin politik PS-LSI, më pas në transformimin spektakolar si shoqet seksi të “Instagramit”, ata do të sjellin programin që thonë se s’ekziston në ekranin shqiptar.

Për këtë format, ironinë therëse që fshihet pas shfaqjes “Nderi i kombit” me regji të tij, ç’mendon për “Portokallinë” tani që s’është pjesë e trupës, angazhimin në politikë, familjen dhe paratë që fitojnë ai dhe miku i tij Besi, aktori i zbulon në këtë intervistë për “Panorama Plus”.

“Nderi i kombit” është shfaqja jote e fundit që po vendos në teatër. Cili është roli yt dhe çfarë ironie therëse fshihet pas këtij titulli?

Unë jam regjisori i veprës. Vepra është shkruar nga Vangjel Kozmai. Bëhet fjalë për një pronar prodhimi veshmbathjesh, që merr telefonatë nga Presidenti i Republikës, i cili do ta dekorojë “Nderi i kombit”, si i vetmi njeri që paguan taksat në këtë vend. Sapo përhapet lajmi, atij i vardisen mediat, partitë, shoqatat dhe i grabisin çdo gjë, duke e lënë vetëm me brekët e veta. Vepra bën një skanim fantastik të shoqërisë shqiptare, një lupë satirike e shkëlqyer nga Vangjel Kozmai. Por që unë pata fatin ta realizoja me mjeshtër si; Alfred Trebicka, Suela Konjari, Albana Sancolli, Violeta Trebicka. Si edhe me tre super yje të rinj; Aleks Prodani, Ëngjëll Hoxha dhe Serkida Rrapollari. Pa fund falënderim për Gentjana Yildizoglu, që ka vendosur të investojë në teatër duke ngritur një kompani
artistike.

Ndërsa eksperienca jote e fundit televizive ishte si bashkëprezantues i festivalit “Kënga Magjike”. Si ishte të punoje me Ardit Gjebrenë?

Unë me Arditin kam punuar edhe para 11 viteve si asistent regjisor i programit “ E diela shqiptare”. Arditi është fantastik, i palodhur, pasionant ndaj punës, për të, dita nuk ka 24 orë. Prezantimi i “Kënga Magjike” më dha një kënaqësi të rrallë. Jam ndier artist dhe i vlerësuar pas shumë kohësh… më mungonte shumë ai trajtim dhe i tillë bashkëpunim.

Në atë skenë, shkaktuat shumë të qeshura sidomos me batutat tuaja si “vajzat seksi të Instagramit”, në dyshen e famshme me Bes Kallakun. Për skenarin, çfarë karakteresh apo personazhesh femërorë studiuat?

Nuk ishim atje si vajzat e Instagramit, por më së pari si Bes dhe Erion. Sigurisht duke interpretuar edhe personazhet tona. Ne nuk studiojmë një grup apo vetëm një fenomen, por kompleksitetin e tyre. Duke marrë dhe ironizuar e satirizuar çdo trend e fenomen që na ndjek në të përditshmen.

Ti dhe Bes Kallaku tashmë jeni identifikuar si dyshe, që është e vështirë t’ju shohësh si të ndarë. Çfarë marrëdhënie keni jashtë punës?

Ne jemi miq të pandarë. Miq familjeje me njëri-tjetrin. Besi është vëllai im, miku im më i mirë. Njeri i veçantë, që s’gjen të dytë.

Keni ecur pothuaj në të njëjtat shina në karrierë, po kush nga ju ka arritur të bëjë më shumë para?

Sa për paratë, për të dy ne nuk janë as qëllimi dhe as lufta jonë. As kemi, as na mbarohen, siç është shprehja.

Po flitet se ke nisur punën për programin e ri televiziv me Besin. Për çfarë formati bëhet fjalë, nëse mund të na zbulosh diçka?

Puna për emisionin vazhdon. Ai pasurohet, kontaktohen njerëz dhe artistë, por çdo gjë në kohën e vet. Do të ketë vëmendjen dhe përkushtimin tonë maksimal. Po punojmë që të sjellim një formë që mungon. Ky është synimi ynë. Do të vijë atje dhe ashtu si e meriton…vetëm kaq mund të them.

Tani që s’je pjesë e trupës “Portokalli”, bëhesh ndonjëherë nostalgjik duke i ndjekur të dielave?

Shkurt, jo! Nuk mund të bëhesh nostalgjik për ish-të dashurën kur dashuria e re është më pasionante se e vjetra. Jam i zënë duke bërë shfaqje në teatër dhe s’i kam ndjekur.