PEISAZHET MESDHETARE/ Fiton projekti i Institutit të Monumenteve të Kulturës – AlpeGossip
PEISAZHET MESDHETARE/ Fiton projekti i Institutit të Monumenteve të Kulturës

PEISAZHET MESDHETARE/ Fiton projekti i Institutit të Monumenteve të Kulturës

Instituti i Monumenteve të Kulturës është fitues i një tjetër projekti të rëndësishëm, me temë: “Teknologjitë ndërdisiplinore për konservimin dhe vlerësimin e siteve dhe peizazheve kulturore mesdhetare, lugina e Drinos (AL) dhe Lugina e Mullinjve në Amalfi (ITA)”.

Përballë sfidave mjedisore, siç janë ndryshimet klimaterike, urbanizimi dhe presioni i turizmit, këto peizazhe dhe site kulturore përballen me sfida të reja për konservimin, menaxhimin dhe si përhapjen e vlerave të cilat ato i mbartin.

Prandaj është e nevojshme të ndërmarrim përpjekje për të identifikuar njohuri dhe metoda projektimi të reja për këto site, ku konceptet dhe propozimet mund të ofrohen me praktikat më të mira eksperimentale inovative të provuara, siç është dhe Instituti për Teknologjitë e Aplikuara në Trashëgiminë Kulturore (ITATK), pjesë e Këshillit Kombëtar të Kërkimit (KKK) në Itali.

Përgjatë javës së kaluar, dy ekspertë të Institutit për Teknologjitë e Aplikuara në Monumentet e Kulturës (ITABC-CNR) zhvilluan vizitën e parë në Shqipëri, për të nisur aplikimin e këtij projekti.

Gjatë vizitës u realizuan takime pranë zyrave të IMK-së si dhe një vizitë në terren, ku në fokus ishte zona e Luginës së Drinos dhe trashëgimia e pasur kulturore e saj.

Të shoqëruar nga specialistë të IMK, ekspertët zhvilluan vizita në disa nga monumentet më të rëndësishme të zonës si: Manastiri i Shën Qirjakut dhe Julitës në fshatin Dhuvjan, Kisha e Profetit Ilia në fshatin Stegopull, Kisha e Shën Mërisë në fshatin Labovë e Kryqit, Rrënojat e Teatrit Antik në fshatin Sofratikë etj. Gjithashtu, një vizitë u realizua edhe në qendrën historike të Gjirokastrës, Kalanë e Gjirokastrës, banesën e Zekatëve etj.