ROMANI I RI “TUTORI”/ Mimoza Ahmeti rikthehet me ish-bashkëshortin, Aurel Plasari – AlpeGossip
ROMANI I RI “TUTORI”/ Mimoza Ahmeti rikthehet me ish-bashkëshortin, Aurel Plasari

ROMANI I RI “TUTORI”/ Mimoza Ahmeti rikthehet me ish-bashkëshortin, Aurel Plasari

Dashuria mund të marrë formë njeriu, por njeriu që nuk merr formë dashurie, nuk ka më se çfarë bën…Vetëm dashuria është zgjidhja! Më gjatë se ç’foli në bisedën e saj te “Reja”, me gazetaren Alda Bardhyli, Mimoza Ahmeti ka shkruar në librin e saj të fundit, “Tutori”.

Gjatë ditëve të Panairit pritet të dalë nën logon e Mapoedition, romani që e ka mbajtur Mozën ca kohë për vete. Libri do të vijë me parathënie nga Aurel Plasari. Pas kaq vitesh, “Tutori” bën bashkë dy ish- bashkëshortët. Sipas Bardhylit, drejtore e Mapoedition, “Ky roman është një rrëfim i fortë mbi individin dhe dëshirën e përhershme për ta gjetur zgjedhjen te dashuria…” Pas pak ditësh, kureshtja nuk do të jetë e pakët, duke qenë se Plasari, përveç se ka bërë parathënien, është edhe personazh në libër. Mirëpo, përpara se të kemi në duar “Tutorin’ e Moza Ahmetit, lexojmë shkurtimisht dashurinë sipas saj, por jo vetëm….Ahmeti ka folur edhe për tema të tjera, si kategorizimi i vetes-poete, si poete metafizike.

Si ishin vitet ’90 për një poete të re në Shqipëri?

Të gjitha rolet në një sistem social realizohen nëpërmjet koshiencës. Koshienca ka një impostim. Çfarë jam unë në këto momente këtu? Poete! Por, unë në shtëpi do të shkoj dhe do të jem kuzhiniere. Ky është roli. Të gjithë, duke luajtur një rol të tillë kanë një unitet, që quhet sistem. Tërësia e këtij uniteti qëndron te njerëzit. Bota mbahet te njerëzit

Pra, ku është sistemi?

Flisnin pa pushim në një takim: diktatura, diktatura, diktatura. Ku është diktatura? Diktatura është te njerëzit. Te rolet që ata kryejnë, edhe te mënyra sesi ata i kryejnë. Në sistemin e diktaturës, në ligj nuk ishte që i burgosuri të rrihet, por rrihej. Edhe në këtë sistem nuk është. Pra, është njeriu ai që përfiton nga avantazhi i rolit. Është njeriu ai që e ndërton të mundurën ose të pamundurën, që rrit bonsensin, ose e pret edhe e injoron atë. Por, si ishin vitet ’90 për mua si poete? Unë jetoja në një mjedis që kishte një apolikacion, që në fushën e letërsisë quhej realizmi socialist. Në fushën e historisë quhej historia e PPSH-së. Historia e vërtetë e historisë së shekujve ishte histori e ndërmjetësuar nga ideologjia. Shumë autorë, qoftë edhe në fushën e letërsisë, ne nuk i kemi njohur edhe vazhdojmë që mos t’i njohim, ose i njohim përciptazi ose shumë pak.

Po e kthej pyetjen në një çështje që është më bashkëkohore. Si ishte Moza Ahmeti në atë kohë?

edhe unë e shikoj si një njeri, si mund ta shihni edhe ju. Është shumë interesante, që ti duhet të mbash cilësitë e atij njeriu që ke qenë 20 vjet apo 30 vite përpara apo edhe fajet e atij personi. Kështu është e ndërtuar, qoftë koshienca apo psikika që bën çudira, nuk mund të jetë njësoj në kohën tani me në kohën që ishte atëherë. Madje, një nga vështirësitë e mëdha që ka një shkrimtar dhe unë e ndiej këtë, është se duhet të jap llogari për libra që i ka shkruar 10 apo 15 vite më parë. Kur personaliteti i tij dhe shoqëria ka ndryshuar, ai duhet që të përgjigjet, sikur është koha tani. Është shumë e vështirë. Ku duhet të kthehem unë? Duhet të kthehem te tema e ditës, që më ka shqetësuar dhe më ka çuar drejt një koncepti, letërsia nacion.

Çfarë risqesh dhe çfarë mundësish përbën letërsia nacion?

Ne në letërsinë tonë, të gjithë shkrimtarët që kanë bërë diskurse dhe sidomos ata që janë lidhur me subjektin, gati-gati i kemi përjashtuar edhe i kemi persekutuar. Jo në mënyrë fatale, por me një heshtje kolektive, botim shumë të paktë të veprës, mbajtje të librave në banak apo me mospërfshirjen e kritikës në atë nivel që të zbulojë aspektet. Është shumë e thatë kjo që them në krahasim me lëndën që kanë librat e këtyre autorëve.

Për shembull, “Gomari i Babatasit” i Gjergj Fishtës. Kam lexuar 20 faqe, ku shikoj se “Gomari i Babatasit” janë shqiptarët, që i rrahin si gomari dhe ata asnjëherë nuk kanë nevojë për të reflektuar. Kjo është pjesa e parë. Pjesa e dytë, që më impresionoi, është se si në shkolla nisi ateizmi edhe si u mënjanua botëkuptimi klerikal i asaj kohe. Mënyrat nuk ishin bisedore, debatime edhe me konsensus. Kanë qenë violente. Ndryshimi radikal i mendimit do të sjellë patjetër pasoja. Këto janë çështje që duhen diskutuar. Ne nuk duhet të ngelemi në atë kohë që ka qenë, por duhet që t’i analizojmë të gjitha ato.

Ne çuditemi përse s’na duan?

Nuk jemi mjaftueshëm. Nuk kemi mjete dallimi. Nuk është gjuha ajo që e mban një komb apo një etnitet. Njeriu mendon edhe pa gjuhë. Ne, në atë që quhet integral global, si do hyjmë? Ne jemi krejt të zhveshur, sepse jemi të mbuluar. Jemi të tjetërsuar dhe nuk kemi gjuhën e përbashkët që të krijojmë komunikim. Pa komunikim, si do ketë integrim?

Kërkimi i lumturisë a ndryshon gjatë viteve, si e kërkon sot lumturinë në poezi? Kur je i ri, mendon se gjetja e një personi është një Romeo dhe Zhuljetë, me dashuri të pavdekshme. Kjo ëndërr për fat të keq është substrati që rri nën/poshtë. Shpresa e fundit vdes ditën e fundit të njeriut, por njeriu është koshient edhe pse unë ende s’e kam lexuar kapitullin e tmerrshëm “Dogma e dashurisë”.

Ke nisur me dashuri dhe vazhdon të hulumtosh dashurinë?

Po, sepse te dashuria jemi. Dashuria mund të marrë formë njeriu, por njeriu që nuk merr formë dashurie, s’ka çfarë bën pastaj. Forma e formave është shpirti, aty duhet të mbahemi fort, se ndryshe ku do të mbahesh kur tjetri të lë. Pra, kjo është. Me njerëzit të shkon aq rrugë sa ke të përbashkët. Ne jemi të gjithë pjesë e asaj hapësire që është e përbashkët ose jo, por që procedon pa pushim. Është aplikacioni virtual tani, që të lidh me gjithë botën. Edhe kur ndahesh me dikë, rruga e shpirtit vazhdon, kërkimi është i pafundmë. Unë mendoj se dashuria është te kërkimi. Njeriu vdes nëse ndërpret kërkimin. Identifikimi i njeriut me një tjetër edhe me kërkimin bashkë me të, është kitch-i më i madh në mënyrë absolute, se pastaj dashuria mbaron. Tjetrin duaje, shiko çfarë të jep, shiko raportin që ke me të. Kurse ne dashurojmë paraqitjen, vitalitetin, arrogancën, mendjemadhësinë, nëse jemi mësuar të frustruar, dashurojmë atë që na frustron. Prandaj duhet parë raporti, por a kemi ne fuqinë që në një moment që jemi kaq të lidhur mos të identifikohemi më me të? Unë prapë shpresoj, shpresoj tek e jashtëzakonshmja. Unë nuk them se nuk kam gjetur gjë. Fatkeqësia është që unë i harroj. Edhe unë nëse të harroj, është e vështirë të hysh në agjendën time (qesh). Nga kjo kuptoj se është e gjitha proces. Është e gjitha një lidhje për të bërë, për të ndërtuar atë që është riprodhimi. Unë mund të them se “Libri i lumturisë” është i tillë, jo se unë kam gjetur lumturinë, por se për herë të parë unë analizova ato që quhen graunde,(graunde janë fondamentet e botëkuptimit që kemi ne). Kuptova se ato ishin të fundme. Kuptova që vuajtja më vinte nga identifikimi i një bote finale, e cila megjithatë procedon, kur e kupton egon sjell pa pushim novitet nëpërmjet njerëzve dhe të rinjve, që duan të futen në të pa pushim. Më ka ndihmuar shumë filozofia, gjuhët e huaja, ndoshta deridiku edhe marrëzia. Kam pasur edhe naivitetin, që çdo gjë negative ta ktheja në margaritar. Nuk rrija te llumi që më fuste negativiteti. Kurrë s’kam ndenjur, s’kam çetuar dhe kurrë nuk m’u bë shpirti i keq, për arsyen se më bënë keq. Gjithmonë kam dalë prej kësaj, kam gjetur arsyen e arsyes, e arsyes së tjetrit që ta justifikoja atë, ta ktheja në pozitivitet për vete dhe të vazhdoj përpara.