Mungesa e hekurit në organizëm shkakton rreth 800 mijë të vdekur çdo vit. Sipas ekspertëve, anemia është e nënvlerësuar, pavarësisht se prek 25 % të popullsisë globale.
Alarmi hidhet nga ekspertët e Organizatës së Mjekësisë së Brendshme në Itali, të cilët vlerësojnë se mungesa e hekurit në gjak nis që në vegjëli, rëndohet me kalimin e viteve dhe bëhet shumë evidente në moshat mbi 65 vjeç. Në vitet e fundit është vrojtuar një rënie e nivelit të hemoglobinës tek të moshuarit që vuajnë nga sëmundjet kronike duke e përkeqësuar shumë më tepër gjendjen e tyre. Siç dihet anemia bëhet burim për lindjen e sëmundjeve të tjera, kryesisht atyre kronike.
Për këtë arsye tani po nisin studimet dhe analizat në mbi 2000 pacientë të cilët do të monitorohen për një kohë të gjatë, për të saktësuar se sa ndikon anemia në agravimin e gjendjes së përgjithshme të pacientëve.