Sëmundjet e aparatit të qarkullimit të gjakut vijojnë të mbeten të parat në listën e sëmundjeve që po marrin më shumë jetë njerëzish. Sipas Institutit të Statistikave vetëm për vitin 2017 në Shqipëri humbën jetën mbi 22 mijë e 200 persona 3.9% më shumë krahasuar me vitin paraardhës.
Numri më i lartë i vdekjeve rreth 11 mijë e 926, janë shkaktuar si pasojë e sëmundjeve të trurit dhe atyre të zemrës që bëjnë pjesë në grupin e sëmundjeve të aparatit të qarkullimit të gjakut. Po cilët janë faktorët e riskut? Shefi i Shërbimit të Kardiologjisë në QSUT Petrit Bara, sqaron se trashëgimia, stresi, alkoli, jeta sedentare dhe mënyra e ushqyerjes janë disa prej shkaqeve që çojnë në shfaqjen e sëmundjeve kronike të zemrës.
Petrit Bara: Është diabeti, janë sëmudnejt bashkëshoqëruese, janë yndyrnat, kequshqyerja dhe një nga faktorët më të rëndësishëm është edhe stresi që jep infarkt.
Bara thekson po ashtu se mangësitë e shërbimit shëndetësor ndikojnë në diagnostikimin me vonësë të sëmundjeve ndërsa qytetarët i këshillon të kryejnë kontrolle të vazhdueshme mjekësore.
Petrit Bara: Depistimi i tyre që duhet bërë më rregullisht, edukimi shëndetësor qoftë i mjekëve qoftë i të sëmurëve kardiovaskularë dhe një shkak është mungesa e kardiologëve në rrethe.
Por vetëm kontrolli shëndetësor nuk mjafton. Kujdes i shtuar duhet të tregohet edhe në mënyrën e ushqyerjes. Dietologia Anila Kalleshi apelon që të evitohen yndyrnat.
Anila Kalleshi: Konsumimi i produkteve që përmbajnë yndyrna me origjinë shtazore, moskonsumimi i vakteve në kohën e caktuar, mos respektimi i orareve të gjumit është një faktor tjetër.
Por çfarë duhet të konsumojmë për të pasur një jetë të shëndetshme?
Anila Kalleshi: Një person që ka një patologji të ndryshme nëse do të bëntë një përzgjedhje të mirë të ushqimeve do i mbajmë lart këto patologji.
Të dytët në listën e zezë të shkaktarëve të vdekjes renditen tumoret që sipas INSTAT u kanë marrë jetën afro 3600 personave. Referuar gjinisë, më të prekur ka qënë gjinia mashkullore edhe pse krahasuar me vitin 2016 numri i femrave që kanë ndërruar jetë është rritur ndjeshëm me 5.1%