SHKURT DHE QARTË/ Hapat që duhet të ndiqni për t’i kërkuar shefit/es rritje rroge – AlpeGossip
SHKURT DHE QARTË/ Hapat që duhet të ndiqni për t’i kërkuar shefit/es rritje rroge

SHKURT DHE QARTË/ Hapat që duhet të ndiqni për t’i kërkuar shefit/es rritje rroge

Të kërkosh rritje rroge, sado e vogël qoftë ajo, është një nga gjërat më të sikletshme në punë. Pjesa më e madhe e njerëzve sikletosen shumë kur vjen puna te rritja e rrogës, sa në disa raste përfundojnë duke hequr dorë. Por, vjen një moment kur vërtet duhet kërkuar rritja e rrogës. Nëse jeni të bindur se meritoni më shumë, duhet të ndiqni këto hapa.

Së pari, duhet të dokumentoni punën tuaj. Përdorni prova, jo fjalë boshe. Kjo s’do të thotë të shkoni te shefi/ja me një dosje me raporte a thua se jeni në gjyq, por përpiloni një listë me arritjet dhe performancën tuaj. Sigurisht që nëse jeni i pazëvendësueshëm në punën tuaj, komunikimi mund të jetë më i lehtë.

Së dyti, vendosni një synim. Mjafton të pyesni se sa paguhen kolegët tuaj në kompani të tjera. Pra, studioni tregun dhe vendosni një target të përshtatshëm për të dyja palët.

Së treti, gjeni momentin më të mirë të mundshëm. Duhet të shmangni ditët kur ai/ajo është e mbingarkuar me punë ose po merret për një aktivitet të rëndësishëm.

Së katërsi, përgatituni edhe për përgjigje negative. Duhet thënë se në disa raste, vendimi nuk është vetëm në dorën e shefit/es; janë shumë faktorë që ndikojnë. Ndaj mos i merrni gjërat personale. Nëse ndodh që thotë jo, mos hiqni dorë. Pyesni për arsyet e vendimit dhe kriteret e tjera që duhet të përmbushni. Vendosni një afat kohor dhe diskutojeni sërish pas disa muajsh.

Nëse edhe pasi përpiqeni vazhdimisht që të përmbushni kërkesat dhe kriteret, sërish kompania nuk ju vlerëson aq sa meritoni financiarisht, ndoshta është koha për t’u larguar. Patjetër që kjo nuk duhet menduar që në fillim, por nëse kërkesa juaj refuzohet gjithnjë, duhet pasur parasysh.

– Përshtatur nga Forbes