Moderatorja Fjoralba Ponari po kalon një periudhë të vështirë në jetën e saj. Megjithatë, ka vendosur të ecë para dhe jo të mbytet në atë që thotë se “nuk ndryshon dot”.
Për ata që nuk e dinë, moderatorja i referohet humbjes së nënës së saj e cila u nda nga jeta rreth dy muaj më parë pas një sëmundjeje të rëndë. Fjoralba ka zgjedhur që këtë pjesë ta mbajë larg publikut dhe mos të flasë, pasi siç tha në një intervistë: “Është një dhimbje që është e imja, jeta vazhdon, duhet gjetur forca për t’u ringritur, për të frymëzuar të tjerët”.
Pas një kohe të gjatë ajo ka zhvilluar një bashkëbisedim virtual me ndjekësit e saj në Instastory, ku u ka dhënë mundësinë atyre ta pyesin rreth çështjeve të ndryshme. “A je ok?”- e pyet dikush moderatoren e cila përgjigjet: “Jo nuk jam, por zgjedh me sforco e sakrificë të bëj para sesa të mbytem në atë që nuk e ndryshoj dot”.
Gjërat duket se nuk kanë shkuar mirë as për të dashurin e saj, Françeskon,i cili ka pasur disa probleme shëndetësore. Të paktën kështu ka lënë të kuptohet Fjoralba kur u pyet se pse nuk poston me të në rrjetet sociale. “Kemi pasur ca vështirësi teknike”-shkroi ajo krah një fotoje ku shiheshin patericat por pa zbuluar se për çfarë bëhet fjalë.
Përveç jetës personale nuk kanë munguar pyetjet as për jetën profesionale, konkretisht për aludimet rreth largimit të saj nga “Portokalli”. “Është normale pasi Portokalli ka qenë dhe është show më i kërkuar në tv ndaj dhe njerëzit e duan”.
Fjoralba është pjesë e “Portokalli” prej disa sezonesh, që kur u largua Xhemi Shehu.