S’ka më “Më tha Zoica që i kishte thënë Vasillua”. Tani kemi “Më tha Facebook-u që ia kishte thënë Instagrami” – AlpeGossip
S’ka më “Më tha Zoica që i kishte thënë Vasillua”. Tani kemi “Më tha Facebook-u që ia kishte thënë Instagrami”

S’ka më “Më tha Zoica që i kishte thënë Vasillua”. Tani kemi “Më tha Facebook-u që ia kishte thënë Instagrami”

Këto rrjetet sociale po na prishin e po na ndreqin punë. Sa të mira janë, aq edhe të nxjerrin zbuluar. Ti mund të duash t’i mbash ca gjëra për vete për shembull. Të ndahesh me burrin. Të lësh të dashurin. Të prishësh marrëdhëniet e biznesit e të mos flasësh më me mikeshën që e kishe për kokë. Po kush të lë? Instagrami t’i nxjerr lakrat sheshit, siç dikur komshijet nga goja në gojë. Sot s’ka fare më tha filani e më tha fistëku. Lajmet të vijnë të ngrohta në Facebook e Instagram, që të bëjnë të pabërën edhe kur mundohesh të mbash të fshehta.

 

(Vin Veli dhe Bora Zemani, foto nga Instagrami)
Bora Zemani dhe Vin Veli nuk thanë as një gjysmë fjale. As se po lidhemi as se po ndahemi. Po ata që rrëmojnë në Instagram e kapën që në ajër. Njëri bëri unfollow dhe lajmi mori dhenë: u shpall ndarja në media. Ata mund edhe të kenë qenë në periudhë krize po kush i la? I ndamë e i harruam. Kur më në fund e pranuan edhe vetë, ndarja e tyre ishte lajm i vjetër. Instagrami ishte pararojë. Njëlloj si në rastin e miqësisë së modeles Aurela Hoxha dhe fotografit Endrit Mërtiri.

(Aurela dhe Endriti, foto nga Instagrami)
Se ç’miqësi mund të ketë qenë në të vërtetë, ne nuk dimë gjë se nuk dëgjonim gjë. Ama ne dimë atë që shihnim në rrjet. Dhe në rrjet ata i shihje kudo bashkë: mëngjes, drekë, darkë. Me pushime bashkë, në punë bashkë, në restorant, në shfaqje, në evente, në studio, kafe, në rrugë, në makinë. Ku kishte një Aurelë do kishte dhe një Endrit. Patjetër kemi lexuar edhe shprehje dashurie bombastike: zemra, shpirti, jeta, drita, motra, vëllai, që u shkrinë si bora po aty ku u shkruan: në Instagram. Endriti dhe Aurela nuk janë më miq dhe lajmi mori dhenë për ditëlindjen e fotografit. Pse? Sepse, përveç fotos, mungoi dhe urimi i përvitshëm që bëhej në shesh të burrave, aty në Instagram. Prej andej u pa e po shihet sot e gjithë ditën që gjithë ajo miqësi nuk ekziston më. Normale është patjetër.

(Ori dhe Renato, foto nga Google)
Po nëse dikur e merrre vesh vetëm lagjia sot e merr vesh gjithë dynjaja. Si puna e Renato Mekollit dhe Ori Nebiajt. Që marrëdhënia e tyre e biznesit u prish, nuk është fundi i botës, por ja që bota është aty pilaf edhe kur ti mundohesh t’i bësh gjërat në heshtje. Miqësia e prishur doli sheshit për njëvjetorin e restorantit të tyre të përbashkët dhe shpërtheu si lajm, pa pasur nevojë për konfirmim: provat ishin të pastra kristal: nuk ka më foto në Instagram e as komente të tipit: mbaro dhe hajde se kemi shumë punë te lokali, siç i shkruante Renato Orit, ndërsa ajo ishte në transmetim në Wake Up. Deshi s’deshi edhe Renato e pranoi që nuk janë më miq. Po edhe po mos ta thoshte ne e dinim. Na e tha Instagrami.

(Rezarta dhe Zaimina, foto nga Instagrami)

(Baby Shower, kur nuk shkoi Rezarta Shkurta. Foto nga Instagrami)
Njëlloj siç na spiunoi edhe për Zaiminën e për Rezarta Shkurtën, që ishin shoqe për kokë. Ama në baby showerin e vajzës që Zaimina pritet të lindë, në fotot e mikeshave të veshura me rozë që pushtuan rrjetin, mungonte kryesorja, shoqja e ngushtë, Rezarta. As njëra as tjetra nuk kanë thënë asgjë për miqësinë e prishur. Ama, nëse do donin ta përgënjeshtronin, do ta kishin pasur fare të lehtë: një foto së bashku në Instagram, aty ku bëhen gjithë dallaveret dhe do ishin sqaruar. Meqë foto në Instagram e Facebook nuk ka, është pak por e sigurt: Zaimina dhe Rezarta nuk janë më shoqe. Mund të fillonim edhe me miqësitë që kanë filluar prapë, si ajo e Tunës dhe Dafit, që prapë na e shpallën në rrjet, por kjo është një tjetër histori!