SKANDAL NË PORTUGALI/ Mjeku sjell në jetë një fëmijë pa fytyrë – AlpeGossip
SKANDAL NË PORTUGALI/ Mjeku sjell në jetë një fëmijë pa fytyrë

SKANDAL NË PORTUGALI/ Mjeku sjell në jetë një fëmijë pa fytyrë

Një obstetër-gjinekolog portugez është pezulluar nga puna pasi solli në jetë një fëmijë pa hundë, pa sy dhe pa një pjesë të kafkës.

Prindërit e të voglit të quajtur Rodrigo nuk ishin vënë në dijeni për anormalitetet e rënda fizike të foshnjes dhe i zbuluan vetëm kur ai erdhi në jetë.

Këshilli mjekësor përgjegjës votoi dhe pezulloi nga puna Dr. Artru Carvalho për neglizhencë. Gjithashtu, janë bërë publike raste të ngjashme neglizhence nga i njëjti mjek.

Raportimet e këtyre incidenteve në mediat portugeze kanë revoltuar publikun. Dr. Carvalho nuk është prononcuar në lidhje me akuzat.

Çfarë i ndodhi Rodrigos?

Rodrigo u lind më 7 tetor në Sao Bernardo Hospital në Setubal, 43 km në jug të Lisbonës.

Për nënën e tij kujdesej Dr. Carvalho, i cili kreu tre eko me ultratinguj përgjatë shtatzënisë dhe nuk u shpreh në asnjë moment i shqetësuar për shëndetin e fetusit.

Kur ishte gjashtë muajshe shtatzënë, nëna bëri një tjetër eko 5D, më të detajuar se të tjerat në një tjetër klinikë. Ajo eko zbuloi se fëmija kishte anormalitete të mëdha, por Dr. Carvalho i hodhi poshtë këto hipoteza.

“Ai na tha se ndonjëherë, disa pjesë të fytyrës s’janë të dukshme në eko… kur fytyra e fëmijës është e ngjitur me barkun,” tha nëna e Rodrigos për një televizion vendas.

Pasi Rodrigo erdhi në jetë dhe anormalitetet u bënë të pamohueshme, prindërit e tij u informuan se foshnja do të mbijetonte vetëm për pak orë.

Sidoqoftë, dy javë më vonë, djali është ende gjallë dhe nën kujdesin e mjekëve.

Cilat janë rastet e tjera?

Pas publikimit të rastit të Rodrigos, prindër të tjerë filluan të tregonin historitë e tyre me Dr. Carvalho.

Momentalisht, kundër tij janë regjistruar gjashtë ankesa.

Në rastin e një fëmije të lindur në vitin 2011, i shpërfytyruar, me këmbë të deformuara dhe dëmtime të parikuperueshme në tru, mjeku përgjegjës ishte pikërisht Dr. Carvalho.

Nëna e tij, Laura Afonso, tha për gazetën Publico se u ankua në prokurori për mjekun, por çështja e saj u shpërfill.

Djali i saj, tashmë tetë vjeç, është operuar disa herë, por nuk mund të flasë dhe as të ecë.

Një tjetër rast i përmendur është një lindje e vitit 2007, ku foshnja vdiq pas pak muajsh në jetë. Edhe kjo çështje nuk arriti në gjykatë.

Si ka qenë reagimi?

Skandali ka shokuar Portugalinë dhe ka ngritur pyetje mbi sistemin shëndetësor në vend dhe procedurat ankimuese.

Mjeku ka rënë dakord të ndalojë së ushtruari profesionin teksa është nën hetim.

Këshilli disiplinar i Urdhrit të Mjekut ra dakord njëzëri se Dr. Carvalho duhet të pezullohet për gjashtë muaj.

“Ka prova të forta që vërtetojnë neglizhencën e mjekut që mund të sjellin sanksione disiplinare,” tha Alexandre Valentin Lourenco, kreu i këshillit mjekësor për rajonin jugor.

Ai shpreson që pezullimi t’i ndihmojë sadopak gratë shtatzëna të besojnë sërish te mjekësia.

Burimi: BBC