Valbona Selimllari është bërë e njohur në Shqipëri për pjesëmarrjen në Miss Shqipëria ku triumfoi dhe më pas vijoi karrierën duke u shfaqur në spektakle të ndryshme. Ka disa kohë që ka nisur punën si këshilltare në Bashkinë e Tiranës, për të cilën thotë se e do shumë.
Por shumë shpejt do ta shohim në ekranin e Ora Neës me një emision të ri që i dedikohet njerëzve në nevojë. Në një intervistë për “Mos i fol shoferit” nga Rudina Dembacaj, ajo ka zbuluar detajet e këtij formati, i cili nuk dihet ende kur do të jetë në transmetim.
Pjesë nga biseda
Rudina Dembacaj: Si është të jesh këshilltare?
Valbona Selimllari: Jam këshilltare e kryetarit të bashkisë, merrem me një punë që më pëlqen se ka të bëjë me njerëzit në nevojë. Çështjet sociale më qëndrojnë shumë mirë në karakter dhe ky është një nga faktet pse e kam pranuar këtë punë. Një arsye tjetër shumë e fortë është besimi që kam te puna. Mendoj që ka ndryshuar Tirana. Kush do thoshte që nuk ka ndryshuar, do ishte i padrejtë. Nuk po them që gjithçka është bërë, por janë bërë aq shumë sa dhe të duash të mos i shikosh, e ke të pamundur se përballesh me to. Edhe kur ka kontestime se janë të respektueshme sepse secili ka mendimin e vet dhe nuk dua ti mbush mendjen apo ti imponoj askujt mendimin tim, por duhet të jemi mirënjohës. Ajo që po bëjmë është se po krijojmë një ambient më të mirë për vendin dhe fëmijët tanë. Ajo që më pëlqen më shumë është gjelbërimi.
Rudina Dembacaj: Je e përditshme në bashki?
Valbona Selimllari: Jo. Në fakt është punë me projekte. Më shumë jam në terren me njerëzit. Janë projekte që jemi duke bërë, njëri është tek ky emision që po bëj sepse lidhet fort me bashkinë.
Rudina Dembacaj: Do jetë në shtëpinë tonë apo jo?
Valbona Selimllari: Po, do jetë në Ora News. Akoma nuk është përcaktuar se kur do të fillojë transmetimi, por si koncept është bërë tashmë. Do titullohet ‘Më jep dorën’ dhe do jetë në ndihmë të atyre që vërtetë kanë nevojë për ne. Do të mundohemi t’ia ndryshojmë jetën, jo duke i çuar një trastë me ushqime. U duk si pavlerë, por ka vlerë, por që ti ndihmosh vërtetë ata fëmijë është ti marrësh e të mos i lësh në rrugë. Bashkia ka një projekt goxha impenjativ me idenë për ti hequr fëmijët e rrugës nga rruga për ti shkolluar dhe nëse kanë talente, të mundohemi t’ia u nxjerrim, t’ia kultivojmë, ti çojmë në shkollat e duhura dhe nesër të fitojmë nga kapaciteti i tyre dhe jo të lypin në rrugë e të fshijnë xhamat e makinave. Ka një problem shumë të madh që shoqëria jonë nuk i pranon thjesht dhe është një projekt që dua të punoj fort.
Rudina Dembacaj: E ke synim që të thyesh rekorde shikueshmërie?
Valbona Selimllari: Se kam fare në interes këtë gjë. Ajo që dua të bëj fort në këtë emision është që këtyre fëmijëve tu ndryshojë vërtetë e ardhmja.