“Vendi më i bukur në botë” mbetet pa kafexhiun e restorantit – AlpeGossip
“Vendi më i bukur në botë” mbetet pa kafexhiun e restorantit

“Vendi më i bukur në botë” mbetet pa kafexhiun e restorantit

Aescher – një restorant në alpet zvicerane, i shpallur si vendi më i bukur në botë, ka mbetur – pa udhëheqësin e restorantit. Ai është dorëzuar për shkak të numrit të madh të vizitorëve. Kush është fajtor? Instagrami!

Nga Enver Robelli

Të parkosh veturën një natë në qendër të Dubrovnikut mund të kushtojë lehtësisht 50 euro. Në Venedik jo vetëm gjatë karnavalit është vështirë të ecësh për shkak të numrit të madh të vizitorëve. Njëjtë në Dubrovnik: kur gjatë verës anijet e mëdha hapin portat dhe në qytet vjellin masat e turistëve, për vendasit nuk mbetet asnjë skutë e lirë. Këtë fenomen e njeh edhe Barcelona. Në Palma de Mallorca, ishull spanjoll që me humor quhet landi i ’17 gjerman, autoritetet ua kanë ndaluar banorëve të japin me qira banesat e tyre përmes Airbnb.

Shkrimtari gjerman Hans Magnus Enzensberger para shumë viteve ka shkruar: «Turizmi shkatërron atë që e kërkon duke e gjetur». Në vitin 2014 gazeta online «Huffington Post» e shpalli restorantin Aescher në alpet e Zvicrës si «restorantin më interesant të botës» me «pamje marramendëse». Pastaj aktori i Hollywoodit Ashton Kutcher postoi një listë të 20 vendeve që duhet vizituar, mes tyre edhe Aescher në Zvicrën lindore. Në vitin 2015 një fotografi e restorantit Aescher u botua në ballinën e revistës «National Geographic», titulli: «Places of a Lifetime».

Tani e tutje Aescher u bë i njohur në mbarë botën. Në Instagram, në Facebook, në Twitter – kudo në mediat sociale u postuan fotografi nga më të ndryshmet të restorantit që duket si të ishte i ngjitur për një shkëmbi të lartë prej 100 metrave. Fillimisht menaxherët e turizmit në Zvicrën lindore u gëzuan mbi këtë reklamë globale për një restorant që e njihnin kryesisht zviceranët. Por, ndërkohë vala e turistëve që vijnë në Aescher është e papërballueshme. Vetëm gjatë sezonit nga 1 maji deri më 1 nëntor udhëheqësit e restorantit përpunojnë 14 tonelata patate për të përgatitur specialitetin «Rösti».

Tani familja Knechtle, burrë e grua, kanë vendosur t’i japin fund aventurës në alpe. Nuk duan të punojnë më në këtë restorant për shkak të numrit të madh të turistëve nga mbarë bota. Mbi tridhjetë vjet kjo familje e ka drejtuar këtë restorant, i cili, siç shkruan gazeta «Tages Anzeiger», ka qenë një institucion në alpe. Restoranti është bërë viktimë e suksesit të vet. Viktimë e turizmit masiv. Para një viti është mbyllur fjetorja, sepse s’kishte vend për harxh. Zonja Knechtle thotë se nuk ka qenë në gjendje që me burrin e saj të dirigjojnë vëmendjen e njerëzve që dëshirojnë të vizitojnë restorantin e saj. Klientë të rregullt të restorantit mallkojnë mediat sociale që e shndërruan restorantin Aescher në vend sa për t’u fotografuar.

Aescher po kërkon kafexhi të ri. Të interesuarit nuk mungojnë, por kushdo që e merr drejtimin e këtij lokali tepër të veçantë duhet të gjejë një zgjidhje mes ruajtjes së ambientit alpin dhe dëshirës së qindra-mijëra turistëve për vizitë.