Xhemi Shehu zbulon projektin si aktore: Unë dhe Salsano Rrapi në serial si “Romeo dhe Zhuljeta” – AlpeGossip
Xhemi Shehu zbulon projektin si aktore: Unë dhe Salsano Rrapi në serial si “Romeo dhe Zhuljeta”

Xhemi Shehu zbulon projektin si aktore: Unë dhe Salsano Rrapi në serial si “Romeo dhe Zhuljeta”

Rikthehet në ekran sezoni i ri televiziv “Portokalli”, ku pritet që aktorët të sjellin karaktere të reja, përveç atyre që jemi mësuar të shohim në sezonet e mëparshme. Të ftuar në “Top Show”, regjisori i spektaklit të humorit, Altin Basha, foli për fabulën që do të trajtohet në këtë sezon nga aktorët dhe që është kapja e “Peshkut të madh”, huazuar nga ambasadori i SHBA-ve në Shqipëri, Donald Lu, i cili në nëntorin e kaluar u shpreh se po priste të shihte ndonjë “peshk të madh” në rrjetën e drejtësisë shqiptare.

 

Këtë ide e shohim të realizuar edhe në spotin publicitar të “Portokalli” që njofton premierën, mbrëmjen e 4 marsit. Në spotin ku shfaqen disa nga aktorët e trupës, përfshirë edhe moderatorin Salsano Rrapi, shfaqet Xhemi Shehu e veshur sport duke vrapuar, shumë elgante dhe me flokët e verdha, e cila kur i sheh aktorët me grepa në duar, u thotë se kot lodhen, pasi s’kanë për të kapur gjë. Ndërkohë, e ftuar në studion e Alban Dudushit, Xhemi tregoi se këtë sezon ajo do të vijë si aktore e vërtetë, pasi së bashku me partnerin e saj në skenë, Salsanon, do të sjelin serialin “Romeo dhe Zhuljeta”. “Do t’i sjellim dy personazhet në epoka të ndryshme, që do të thotë se do e nisim nga epoka e Skënderbeut”, tregoi Xhemi.

Duke ruajtur shumë detaje mister, duket se me zbulimin e talentit si aktore nga Basha para dy vitesh, nuk është çudi që Xhemit një ditë t’i interesojë më shumë aktrimi sesa prezantimi. Pas një viti që iu bashkua stafit të spektaklit të humorit “Portokal-li”, si moderatore në treshen me Salsano Rapin dhe Eneda Tarifën, Xhemi Shehu çuditi publikun me talentin e saj në rubrikën “Atentatet”, ku gjatë interpretimit u bashkohej edhe Florian Binaj.

Ajo vjen si protagoniste e roleve emblematike të kinemasë shqiptare ndër vite, interpretoi pjesë në formën e parodisë, që padyshim ka dhe specifikën e vet në skenë. Shpesh, në ngjyrat bardhë e zi të kinemasë shqiptare të para ’90-ës ajo riktheu në kohë me nota humori personazhet e famshëm femërorë të ish-Kinostudios “Shqipëria e re”, që i kemi parë në filmat: “Njeriu me top”, “Shpyllëzimi i lirisë’, “Rrugë të bardha”, “Gjeneral Gramafoni”, etj.. Pas largimit të përkohshëm të Eneda Tarifës nga “Portokalli”, Xhemin e pamë protagoniste në role kryesore si; ish-shoqja e Benit te “Beni ecën vetë’, partizanin dyshues te “Dueli i heshtur”, apo Madalenën e rraskapitur nga xhelozia e të shoqit te “Fjalë pa fund”.

E pyetur në atë kohë nga “Panorama Plus” për talentin e saj të fshehur si aktore dhe këtë eksperiencë ndryshe në punën e saj shumëvjeçare në televizion, ajo u shpreh se ndihej e gëzuar që njerëzit e kishin pritur mirë në këto role”. Moderatorja e njohur e disa formateve shumë të rëndësishme në televizion, u rikthye në spektaklin e humorit “Portokalli”, disa vite pasi ajo ishte pjesë e prezantimit përgjatë një sezoni në vitin 2006, bashkë me moderatorët e asokohe, Agron Llakën dhe Amarda Toskën.

Shumë pak kohë pas lindjes së djalit të dytë, Xhemi u rikthye në ekranin e “Top Channel” pikërisht si moderatore e të njëjtit spektakël “Portokalli”, ndërkohë që e kishim parë në programe të rëndësishme për vite me radhë. Nga java në javë, ajo ka dalë nga kornizat e thjesht prezantueses spontane para kamerave, duke u shfaqur si një “show girl”, ashtu siç është dhe tendenca për personazhet televizive që dinë t’i bëjnë të gjitha në ekran.