Me dhjetra personazhe shqiptarë kanë bërë xhestin patriotik të shqiponjës me duar madje shpeshherë janë kthyer në lajm. Jemi sidomos krenarë kur figura të njohura në botë, si Rita Ora apo Dua Lipa, shprehin që janë shqiptarë përmes simbolit. Gjithë kjo nisi në vitin e largët 1994, në Festivalin e Këngës. Ideues? Babai i Edona Llalloshit.
E ftuar në “Tour de Cool”, Edona konfirmoi se ka qenë artistja e parë që ka bërë shqiponjën me duar në skenë, falë këshillës që i ati i dha para se të performonte:
“E them publikisht që kjo ka qenë ideja e babait tim. Unë isha garuese, ndër më të mirat në Festivalin e Këngës, në vitin 1994. Në atë kohë ishim të etur për Shqipërinë. Babi më tha, ‘kur të dalësh të këndosh, nxirri duart kështu dhe trego dashurinë që kemi ne për Shqipërinë për flamurin kombëtar’.
Nuk e kemi marrë prej askujt dhe pastaj filloi të përhapej .”
Pasi performoi në Shqipëri, Edona u kthye në lagjen e saj në Prishtinë, me shumicë serbe. Siç tregon ajo, s’ishte e thjeshtë të ktheheshe pas një veprimi të tillë. Madje, ajo dhe familja e saj janë kërcënuar vetëm për atë shqiponjë në skenë.