Zhurma që theu çdo parashikim/ Fifi na tregon për muzikën e saj dhe… – AlpeGossip
Zhurma që theu çdo parashikim/ Fifi na tregon për muzikën e saj dhe…

Zhurma që theu çdo parashikim/ Fifi na tregon për muzikën e saj dhe…

Ka njerëz që e dinë qysh në krye të herës se do të bëhen dikush në jetë. Ende fëmijë dinë të kërkojnë gjithçka u takon ose jo, meritojnë ose jo, sepse e kanë të projektuar të ardhmen. Ndoshta nuk e shohin qartë pamjen e saj, por me gjithë imazhin e turbull të fillimit, synojnë ta kapin për flokësh fatin që, pavarësisht sfidave, do ta gjejë një shteg të hapur për të vijuar rrugën…

Ka të tjerë pastaj që nuk e duan famën e kotë, atë që nuk ka një emër specifik (sepse gjithmonë në kërkim të tij mbetet), ulëret me zë të lartë edhe kur e ka të mbytur, atë që të jep një kërcim të beftë drejt majës edhe pas disa ditësh, të jep edhe një të shkundur në tokë. Këtë, një pjesë e mirë e artistëve nuk e duan, sepse duan që kur të përmendet emri i tyre, të ketë gjithmonë diçka për të thënë – e, në mos ndoshta jo krenarë që në fillim, për veten ta mbajnë kokën lart përherë.

Në ujërat e këtij grupi të fundit noton edhe një prej këngëtareve më të talentuara të muzikës shqiptare – është ende herët, por për të ka që tani shumë për të thënë. Filloreta Raçin, ose siç njihet ndryshe zëri brilant nga Kosova, Fifi, është takuar për herë të parë me skenën në moshën 15-vjeçare, por suksesin e vërtetë në muzikë e ka shijuar disa vite më vonë, 2016-2017. E provuar në konkurse e gara muzikore, Fifi i ka rrëfyer publikut se nuk është thjesht një këngëtare komerciale (edhe nëse është kështu, të paktën di t’i këndojë live dhe fuqishëm këngët e saj), por është shumë më shumë – një këngëtare që ka provuar se të jesh një prej zërave të muzikës shqiptare është tjetër gjë dhe të jesh stil, një gjë krejt tjetër.

Eksperienca e parë e vërtetë e Fifit me muzikën ka qenë ajo në “The Voice of Albania”. E mban mend si eksperiencën më të bukur nga e cila ka mësuar shumë, por njëkohësisht ka përjetuar edhe emocione të forta. Pas saj, një provë e rëndësishme ishte Kënga Magjike, festivali në të cilin ajo u klasifikua e treta dhe fitoi çmimin “Best Hit”. “Zhurmë”, kënga që bëri vërtet zhurmë në kompeticionin e vitit të kaluar u rendit si një prej këngëve më të pëlqyera, më të dëgjuara e më të klikuara, aq sa u regjistrua shpejt në kujtesën e të gjithëve.

Në një intervistë ekskluzive për revistën Class, Fifi ka rrëfyer edhe kujt ia kushtoi vargjet e ndjera të këngës që krijoi vetë: “Është dedikim për krejt ata njerëz që nuk dinë dhe nuk ia kanë haberin fjalës dhe së shenjtës dashuri. Është dedikim për ata njerëz që nuk është se nuk duan, po nuk dinë të dashurojnë”.

Përveç karrierës, që është gjithmonë në ngjitje, Fifi ka publikuar së fundmi edhe dy këngë të reja“Nanush 1” dhe “Nanush 2”, të cilat gjithashtu kanë nga një histori specifike brenda vargjeve të tyre.

Por ka edhe të tjera, veç muzikës…. Me humorin e hollë dhe batutat e natyrshme, Fifi thotë se Princi i Kaltër nuk ka ardhur akoma, megjithëse do të donte, të paktën, të ishte nisur… Ndërsa nis të tregojë histori, Fifi nuk i ka harruar ato të fillimeve në muzikë, përkundrazi, i kujton me detaje: histori kur nuk ishte aq e famshme sa sot; atëherë ndeshej me policë dhe, për të përfituar ndonjë falje gjobe, u thoshte: “Unë këndoj”. Por ishte e kotë…

Derisa erdhi një ditë si kjo – lozonjarja më e re e skenës, vajza e lezetshme që veç vokalit, të bën për vete edhe me humorin që ka, bisedat e sinqerta që bën, por edhe me pamjen e saj… Ah, veç atyre pak kilogramëve më shumë, që, pas pak kohësh, do t’ia marrin të keqen.

E paragjykuar jo rrallëherë për shkak të disa kileve të tepërta, Fifi tashmë ka vendosur që për arsye shëndetësore duhet të dobësohet. Ajo ka rënë 7 kile, por është e bindur që do të humbasë edhe disa kile të tjera.

Fifi është si Adele, ajo bën muzikë për veshët dhe jo për sytë. Prandaj si me disa kile më shumë, si elegante, Fifin e duan të gjithë sepse bën muzikë të mirë. Për Fifin do dëgjoni me siguri edhe pas disa vitesh, kur ajo të jetë rrënjosur thellë në muzikën shqiptare…

Kur ka qenë dalja jote e parë në një skenë?
-Dalja ime e parë në skenë ka qenë në moshën 15-vjeçare.

Ti ke marrë pjesë tek “The Voice of Albania” dhe ishte Sidrit Bejleri ai që ka kthyer karrigen për ty. Si ka qenë kjo eksperiencë?

-Eksperienca më e bukur e jetës sime – ishte një prej atyre pjesëmarrjeve ku u ndjeva shumë e rëndësishme. Dueti që kisha me Lundrim Pacukun, i cili vazhdoi garën dhe ishte finalist i skuadrës së Sidritit, ishte njeri prej dueteve më të bukura që ka mujt me kriju The Voice si emision dhe e them pa modesti.

2016-a, por edhe 2017-a, mund të quhen pa frikë vitet e suksesit tënd më të madh. Si ndihesh?

-Në fakt, 2016-a ishte thjesht një start i bukur. Edhe 2017-a ishte vit i ngjitjes dhe u vulos fundviti më së miri me këngën “Zhurmë” tek Kënga Magjike. Për këtë i jam falenderuese gjithë ekipit që është marr me mue gjatë këtij viti. Si Max Production, Joni Peçi, Threedots veçanërisht Kledi Bahitin dhe, normalisht, asnjëherë s’mund ta lë anash falenderimin për Ardit Gjebrean që i dha një magji magjisë sime.

Kënga jote “Zhurmë” në Këngën Magjike u vlerësua me vendin e tretë. Për kë ishte dedikim ai tekst?

-Është dedikim për krejt ata njerëz që nuk dinë dhe nuk ia kanë haberin fjalës dhe së shenjtës dashuri. Është dedikim për ata njerëz që nuk është se nuk duan, po nuk dinë të dashurojnë.

Si ishte të punoje pranë Ermal Mamaqit dhe si është tani të punosh pranë Luana Vjollcës?

-Me të dy kam eksperiencë fantastike në punë dhe jam shumë e lumtur që isha pjesë e dy emisioneve më të shikuara si në Top Channel, ashtu edhe në Tv Klan.

Cili është objektivi yt i radhës, për sa i përket karrierës dhe projekteve muzikore?

-Zakonisht, nuk jam shumë e etur për me tregue objektivat e mia, sepse ndryshe s’do quheshin objektiva. Punën do ta mbaj sekret deri në momentet që do publikohen këngë dhe projekte të reja dhe, mbi të gjitha, është një staf i madh që e ka përsipër karrierën time dhe ua besoj çdo gjë atyre.

Ke publikuar dy këngë, “Nanush 1” dhe “Nanush 2”. Cila është më e suksesshme dhe cila të pëlqen ty më shumë?

-Ka rezultuar e kundërta e asaj që kam prit, “Nanush 1” është prit ma shumë, po unë dashuroj të lëndohem nga dashuria dhe “Nanush 2” është e preferuara ime.

Cili është raporti yt me fansat? U kthen përgjigje, i takon apo je indiferente?

-Mundohem në çdo moment të lirë që kam të merrem me ta dhe të jem sa më e afërt, i takoj kur më vijnë nëpër mbrëmjet që këndoj live dhe në asnjë moment nuk i takoj si fansa, po si adhurues të muzikës sime dhe asaj që bëj unë.

Na trego një rast, apo një surprizë nga fansat që të ka emocionuar?

-Surpriza më e bukur ka qenë një djalë nga Maqedonia. Më erdhi te lokali ku punoj çdo fundjavë, të Cavaliero. Ai është njeri prej dashamirësve më të flaktë që kam dhe madhështia e ardhjes së tij ishte bluza me fotografinë time dhe me mbishkrimin e këngës “Zhurmë” në shpinë … super kujtim.

Vijmë tek situata shëndetësore. Ke treguar se i je nënshtruar një lloj regjimi të rreptë për t’u dobësuar?

-Është marrë si është dasht prej mediave si lajm, po realisht kam problem me shëndetin dhe duhet ta bëj me urgjencë. Do mundohem t’i përmbahem dhe uroj që më e mira të më shoqërojë.

A je paragjykuar për shkak të peshës?

-Jam super paragjykuar. Domethënë është një torturë psikologjike që m’i kanë bo trurit dhe unë e di që e njëjta gjë i bëhet çdo njeriu, të çdo gjinie, veçanërisht femrave kur janë mbi peshë.

Mendon se pasi të humbasësh peshë, do të humbasësh ata fansa që të duan kështu siç je edhe me ato pak kile të tepërta?

-Që unë po humbas peshë, s’do të thotë që do ndryshojë sjellje, karakter apo mënyrë të konceptimit të gjërave. Ata që më duan, do vazhdojnë të më duan. Dhe nuk besoj që njerëzit më kanë dashtë për shkak të kileve, më duan për atë që prezantoj dhe për atë që jap tek ta.

Le të zhvendosemi paktek familja,si i ke raportet dhe sa shpesh shkon në Kosovë tashmë që jeton në Tiranë?

-Në Kosovë shkoj jashtëzakonisht shumë rrallë dhe raporti im me ta është shumë i ngushtë. Akoma ndodh që marr leje për diçka që du t’bëj dhe do e bëj edhe kur të jem me fëmijë vet.

Të pëlqejnë më shumë djemtë e Shqipërisë apo ata të Kosovës?

-Mua më pëlqejnë shqiptarët. S’ka rëndësi nga cili vend, rëndësi ka të flasë shqip.

Çfarë të pëlqen më shumë nga jeta në Tiranë, që në Kosovë nuk e ke?

-Muzika.

Princi i kaltër duhet të vijë me kalë apo me një makinë të shtrenjtë?

-Princi i kaltër duhet të vijë në këmbë, gjërat e shtrenjta nuk janë lekët, as gjëja materiale, po është koha që ta jep tjetri dhe që e jeton.

Ka ardhur tek ti, apo ka humbur rrugën?

-Akoma jemi në pritje. Po me pret mua t’i çoj location.

Si e sheh veten pas 10 vitesh?

-Aty ku unë dua të jem.

Çfarë mendon për këngëtarët shqiptarë? E ndjen konkurrencën?

-Më pëlqejnë iniciativat që marrin. Ka shumë të mirë që rrinë në hije, që po luftuan një çikë, edhe mund të dalin në pah.

Cili është këngëtari shqiptar që të pëlqen më shumë, dhe me cilin nuk do të bëje asnjëherë bashkëpunim?

-Më i miri dhe inspirimi është Flori Mumajesi. Bashkëpunim s’do bëja me ty (qesh).

E mendon veten mama?

Ajo do të jetë dhurata më e bukur e Zotit për mua.

Cili është projekti yt më i afërt?

-Projekti im me i afërt është “Krimineli i zemrës”. Kaq, s’jap dot më shumë informacion./