11 veshjet më të paharrueshme të festivaleve shqiptare (FOTO) – AlpeGossip
11 veshjet më të paharrueshme të festivaleve shqiptare (FOTO)

11 veshjet më të paharrueshme të festivaleve shqiptare (FOTO)

Një grua duhet të vishet që të kujtohet, jo që të vihet re”.

Kjo shprehje e Giorgio Armanit, i shkon disi për shtat disa prej të famshmeve shqiptare që na kanë dhuruar paraqitjet më të bujshme në festivalet shqiptare ndër vite.

Iconstyle.al sjell sot veshjet e paharrueshme të femrave të njohura të skenës, që edhe sot e kësaj dite kujtohen me shumë nostalgji:

Parashqevi Simaku
30 vjet më parë, këngëtarja e njohur shqiptare, Parashqevi Simaku i mahniti të gjithë pasi u shfaq në skenë si rrallëherë me një fustan modern në ngjyrë rozë. Historia e këtij fustani që vodhi zemrat e të gjitha femrave në atë kohë, u tregua një vit më parë nga kompozitori i njohur Agim Doçi, në “Pasdite në Top Channel”. Sipas tij, Simaku do ta interpretonte këngën “E duam lumturinë”, në festivalin e 27-të në RTSH, me një kusht të vetëm: “Unë vij, vetëm po më gjete tafta bojë rozë!”. Kjo copë gjendej vetëm në perdet e Komitetit Qendror dhe kompozitorit iu desh të vidhte perdet për ta qepur fustanin që kujtohet edhe sot e kësaj dite.

Adelina Ismaili
Performanca e jashtëzakonshme e Adelina Ismailit në festivalin e ’97-s mbetet një ndër më të paharrueshmet. Adelina Ismaili u shfaq me tre veshje brenda këngës dhe të gjitha i ndërroi në skenë. Në fillim si Kleopatra, pastaj si një repiste me pellushin lejla dhe në fund, fustani transparent në ngjyrë të kuqe që do të mbahet mend si një ndër zhveshjet e para të skenës shqiptare.

Çiljeta Xhilaga
Këngëtarja shqiptare ka bërë bujë që në fillimet e karrierës së saj, falë formave seksi dhe ekspozimit të tyre. Mirëpo ndër veshjet më të bujshme të saj, ne do të sjellim dy: Fustani i zi me thekë dhe një zemër te të pasmet në “Top Fest 3” dhe fustani i bardhë tyl, që i tregonte linjat në “Këngën Magjike”, dhe që riktheu Çiljetën në skenë pas lindjes së djalit Fernando.

Nora Istrefi
Ishte viti 2013 kur këngëtarja theu tabutë me një fustan ekstravagant në festivalin “Kënga Magjike”, që të linte përshtypjen se nuk kishte fare të brendshme. Fustani i çarë në dy pjesët anësore, kujtohet edhe sot e kësaj dite si një ndër paraqitjet skenike më të guximshme të Nora Istrefit.

Elvana Gjata
Një ndër veshjet e saj më ekstravagante për kohën, ka qenë ajo në “Këngën Magjike” të vitit 2005, ku Elvana konkurroi me këngën “Të kam xhan”. Këngëtarja zbuloi pak kohë më parë në “Xing me Ermalin” se e kishte stiluar vetë look-un dhe se për shkak të tij, e kritikoi i ati. “Po ne të kemi edukuar moj Elvana! Pse veshje është ajo?!”, rrëfeu këngëtarja. Gjithsesi, flokët kaçurrela, pantallonat treçerekshe dhe pellushi i shkurtër që i ekspozonte barkun, u pëlqyen shumë nga publiku.

Laura Nezha
Në vitin 2011, Laura Nezha ka dhuruar një ndër performancat më seksi që do të mbahet mend në skenën e “Këngës Magjike” me këngën “Jo s’e di”. Meritat i kishte fustani në ngjyrë ari, i çarë në pjesën e belit dhe sigurisht linjat seksi të këngëtares që i mahnitën të gjithë në atë kohë.

 

Orinda Huta
Si një princeshë përrallash ishte shndërruar këngëtarja Orinda Huta për performancën e saj në “Kënga Magjike 2009”. Fustani i bardhë bust me gurë të shndritshëm në pjesën e gjoksit, i falte më shumë hijeshi këngëtares e cila dukej mjaft elegante. Performanca bëhej edhe më magjike falë koreografisë që i shkonte përshtat këngës “Oqean”.

Anxhelina
Fustani i bardhë në “Top Fest 8” dukej kaq bukur në lëkurën e errët të Anxhelina Hadërgjonajt, e cila sigurisht kishte bërë solar. Me gurë që shkëlqejnë, gjysmë i shkurtër dhe gjysmë i gjatë fustani ekspozonte këmbët e drejta të Anxhelinës. Mes klasikes dhe modernes, këngëtarja kishte bërë zgjedhjen e duhur për t’u kujtuar edhe sot e kësaj dite.

Era Istrefi
Në qershor 2014, Era Istrefi fitoi tre çmime në “Videofest” për videot e saj muzikore, gjithashtu dhe çmimin “Best New Artist”. Por përpos çmimeve, veshja e saj ishte ajo që fitoi vëmendjen më tepër. Një fustan i zi me thekë në pjesën e gjoksit që e bënte këngëtaren të dukej “topless”, njihet edhe sot e kësaj dite si një nga paraqitjet më të guximshme të këngëtares.

Ledina Çelo
Festivali i 55-të i Këngës do të mbahet mend gjatë për zhveshjen e Ledina Çelos. I zi por i tejdukshëm, fustani që veshi Ledina në festival u kritikua aq shumë saqë këngëtarja u desh të justifikohej për këtë gjë. Ledina e pranoi se ndër vite, fustanet e saj kanë qenë ekstravagante, por ky i fundit u duk i tillë për shkak të një fotoje me blic që i ishte bërë asaj pa mendje: “Kurrë nuk kam dashur të keqkuptohem apo të ofendoj spektatorin”, tha Ledina në atë kohë