2.7 MILIARDË NË DITË/ “Hermesi” si mesazher i zotave – AlpeGossip
2.7 MILIARDË NË DITË/ “Hermesi” si mesazher i zotave

2.7 MILIARDË NË DITË/ “Hermesi” si mesazher i zotave

Dita 32 e karantinës. Muaji më i gjatë i vitit, zakonisht muajt janë më së shumti me 31. Në këtë ditë të 32-të me 8 të infektuar të rinj bëhen 475 në total. Ndërkaq, pritet që ky muaj të zgjasë sa disa muaj bashkë.

Dhe ne nuk do ta dimë kurrë nëse vendimet e marra janë më të mirat e mundshme. Nëse po ia vlejnë jetët tona në kuti, humbjet e punëve, të ardhurat e munguara, depresioni total edhe ai më i rëndi në të ardhmen. Askush nuk do i llogarisë jetët e humbura si pasojë e kësaj mbyllje. Askush nuk do pyesë për to, madje as nuk do t’i quajë, sepse do llogariten ose si dëme anësore ose si dëme për arsye të tjera. Dhe le të pyesim më pas se cilat jetë vlejnë më shumë, këto që po humbim apo ato që do humbim. Ne po shqetësohemi për panikun më shumë se për jetët, duke shkaktuar më shumë panik e duke humbur më shumë jetë.

Pas më shumë se dy muajsh mbyllje, në qytetin e Kinës ku mendohet se nisi ‘coronavirus’, dyqani ‘Hermes’ ka bërë një xhiro prej 2.7 miliardë dollarësh më një ditë të vetme, kjo sipas raportimeve të mediave. Hermesi antik grek që njihej si mesazher i zotave, mbrojtës i hajdutëve e tregtarëve, udhëtarëve e kufijve. Do të doja ta lexoja si shenjë prej zotave se kur të dalim do mundemi të gëzojmë, por edhe se do kemi mundësi të shpenzojmë. Por kjo ka shumë nota optimizmi, e optimizmi është gjithë ç’kemi nevojë që të mund të dalim me mendje të shëndoshë.