Fotinia e “Big Brother” ishte e ftuar dje në emisionin “Ftesë në pesë”, e cila për herë të parë në një studio televizive konfirmoi ndarjen nga Danieli, një lajm i publikuar një javë më parë nga “Panorama Plus”. Çifti u bë i famshëm prej një reality show, i cili i bashkoi e po ashtu i martoi brenda një periudhe të shkurtër kohore.
Ndërsa sa i përket lidhjes në detaje me Danielin, ajo tha: “Nuk jam penduar për lidhjen me të sepse ka pasur dashuri. Pendohem për disa gjëra të vogla, si dasma për shembull. Dasma ishte më shumë seç duhej”, e mbylli deklaratën ajo. E pyetur me se po merret këto kohë, Fotinia pohoi se ka vazhduar jetën e saj dhe tashmë punon si përkthyese. Dy vite pasi u martuan “live” në “Big Brother 9”, me bekimin e kryetarit të bashkisë, Erion Veliaj, Fotinia dhe Danieli i kanë dhënë fund martesës.
Çifti i njohur që arritën të fitonin këtë show dhe që u shpërblyen me 100 milionë, duket se pas shumë ndarjeve të vogla bazuar në lajmet që publikoheshin shpesh për ta, kësaj here i kanë dhënë fund vërtet. Ka qenë vetë Fotini, e cila gjatë një turi që po bën në disa qytete të Italisë, la të kuptohet se ajo tashmë nuk është më nusja e Danielit.
Në profilin e saj në “Instagram”, ajo poston shpesh foto ku shfaqet e vetme dhe po ashtu thënie, ku flet hapur se tashmë po shijon veten e saj, një zgjedhje e mirë pas një ndarjeje. Sipas burimeve pranë çiftit, mendohet se xhelozitë dhe mosmarrëveshjet i kanë çuar drejt ndarjes së pakthyeshme.
Çifti që i thanë po njëri-tjetrit pasi u dashuruan gjatë 100 ditëve të qëndrimit të tyre në shtëpinë e “Big Brother”, pas daljes nga shtëpia njoftuan se do të organizonin një ceremoni tjetër familjare dasme, ndërsa me paratë e fituara do të ngrinin biznesin e tyre. Ata prej kohësh kishin një profil të vetëm “Instragrami”, ku ndanin momente nga bashkëjetesa e tyre në Tiranë.













