“Një këngë për jetën”/ Kur artistët shqiptarë dhe studentët bëhen bashkë për një koncert bamirësie (FOTO) – AlpeGossip
“Një këngë për jetën”/ Kur artistët shqiptarë dhe studentët bëhen bashkë për një koncert bamirësie (FOTO)

“Një këngë për jetën”/ Kur artistët shqiptarë dhe studentët bëhen bashkë për një koncert bamirësie (FOTO)

Shoqëria në përgjithësi haset me probleme të cila ndoshta ndonjëherë bëhen të pamundura për t’u zgjidhur, por bota gjithmonë bëhet më e bukur kur ka solidaritet dhe njerëzit ndihmojnë njëri-tjetrin. Ndoshta njerëzit e thjeshtë janë ata që e kanë pak më të vështirë të gjejnë një rrugëzgjidhje dhe kanë shpesh herë nevojë për ndihmën e dikujt që ka në dorë diçka më shumë.

Po të flasim për sëmundjet e pashërueshme, kemi folur për kura shumë të kushtueshme, për shuma marramendëse. Vetëm ata qe e kanë provuar një situatë të tillë e dinë kalvarin e vuajtjeve qe përveç dhimbjes duhet të përballen edhe me këto shuma parash.

Sensibilizimi ndaj historive njerëzore të trishta, kategorive në nevojë të shoqërisë shqiptare, shpesh ka gjetur përkrahje jo vetëm nga grupet e biznesit, apo individ të rëndësishëm të këtij vendi, por edhe nga personazhe të famshëm të shoëbiz-it të cilët i janë bashkuar kësi nismave me një qëllim pozitiv.

Por kur ka iniciativa të cilat në fokus kanë ndihmën, duket se edhe gjërat shkojnë më mirë. Sidomos kur bëhet fjalë për artistë të cilët bashkohen për një kauzë kaq të rëndësishme dhe të prekshme çdo ditë, siç është sëmundja e kancerit. Kur arti bëhet bashkë për një qëllim kaq të rëndësishëm, një dritë në fund të tunelit mund të shihet. Ku ka më mirë se një këngë të kthehet në një ditë jete?

Një Këngë për Jetën” është edhe koncerti që do të organizohet në datë 11 Prill në sheshin Skëndërbej në kryeqytet.

Një koncert bamirësie në të cilin do të marrin pjesë këngëtarët më të njohur shqiptar, si Aurela Gaçe, Sidrit Bejleri, Eli Fara, Xhensila Myrtezaj, apo aktorët Mirush Kabashi e Bujar Asqeriu.

Po kush e nisi këtë kauzë?

Ishin gazetarë të rinj, studentë të degëve të ndryshme, e gjimnazistë që nga një shpërndarje në rrjetet sociale dhe një ideje për një koncert të tillë, u bënë bashkë dhe ndërtuan një eveniment kaq të madh.

Grupi nisi në fillim me 10 persona dhe ka arritur sot në mbi 100 të rinj.

Ky grup vazhdon edhe rritet dita ditës. E veçanta e këtij grupi është se nuk janë mbledhur nën emrin e një shoqate, apo organizate. Nuk kanë mbështetje politike nga asnjë parti, por i ka bërë bashkë vullneti për të bërë diçka të bukur, siç është ndihma që po mundohen t’u japin disa fëmijëve në luftë me jetën.

Të ardhurat e këtij koncerti, biletat e të cilit kushtojnë nga 500, 1000 dhe 5000 në bazë të pozicionit, do të shkojnë për të ndihmuar fëmijët që vuajnë nga kanceri.

Kur ne të gjithë bëhemi bashkë, mund t’i japim një shans këtyre fëmijëve për të jetuar, një mundësi për të ndjekur ëndrrat e tyre dhe mos të ndërpresin në mes dëshirat dhe planet e së ardhmes. Lufta është e vështirë, por asgjë nuk është e pamundur. Të gjithë bashkë mundemi.

Një kauzë kaq kuptimplotë dhe një nismë që ia vlen të duartrokitet gjatë! Bravo artistëve dhe të rinjve shqiptarë!

Përgatiti AlpeNews.al