Për tre vjet me radhë, Sharon Stone e kishte të pamundur të shkuante qoftë edhe emrin e vet. Iktusi që e goditi aktoren e “Basic Instinct” në vitin 2001 e la atë të paralizuar në anën e majtë të trupit, kur ishte vetëm 43 vjeçe. Asaj iu desh të mësonte nga e para të fliste, të shkruante apo të lëvizte.
“Pata një hemorragji cerebrale që zgjati 9 ditë. Ajo që më ndodhi, ndryshoi jetën time përgjithmonë. Kisha vetëm 5% shanse për të mbijetuar”, tregon aktorja 59-vjeçare.
“Kur u ktheva në shtëpi pas iktusit, mezi ecja sepse gjendja ende nuk ishte stabilizuar. Nuk shihja nga syri i majtë, as dëgjoja nga veshi i të njëjtës anë. Për tre vite me radhë nuk arrija të shkruaja emrin tim dhe m’u desh të mësoja nga e para të flisja e të lexoja”, thotë ajo.
Zona e dëmtuar e trurit të aktores e pengonte atë të kryente veprime bazë. Për më tepër, siç shpjegon ajo, më e keqja ishte ndjesia se pjesa e majtë e trupit nuk i përkiste më asaj.
“M’u deshën vite për të ndier këmbën time të majtë. Më në fund, gjithçka u rikthye si më parë”, tregon aktorja. Ajo thotë se një rol të madh në rehabilitimin e saj, krahas asistencës mjekësore, kishte edhe rikthimi në punë. “E fillova si e ftuar në serialin “Law and Order SVU” në vitin 2010. Ishte vërtet e vështirë, sepse kujtesa fotografike më kishte lënë. Nuk dija t’u përgjigjesha batutave. Por tashmë gjithçka është kthyer si më parë”, tregon ajo.