Të ftuarit e radhës në emisionin ‘Lart e Poshtë’ kanë qenë djemtë e grupit ‘West Side Family’, Landi dhe Miri. Në një intervistë për Eraldo Rexho ata kanë treguar se si vazhdon puna pa Dr.Florin dhe planet për të ardhmen. Dy djemtë e grupit kanë thënë se asnjëherë nuk e kanë menduar të mos merren më me muzikë ose të mos vazhdojnë si grup, pas ndarjes nga jeta të Dr.Florit. Më tej ata kanë treguar se e kujtojnë gjithmonë mikun e tyre në forma të ndryshme dhe do e kujtojnë gjithë jetën.
“Ky nuk është thjesht një zotim, është një ndjesi, ai është pjesë e jona, kur përmendim ‘West Side Family’, në çdo këngë, në çdo varg. Ai është aty gjithmonë, sepse ne bazohemi tek ajo gjëja që donte ai”, – ka shtuar Miri. Përsa i përket një thashethemi të pak kohëve më parë, se Landi dhe Miri do të bënin pjesë të grupit Albanin, vëllain e Dr.Florit, djemtë e grupit kanë thënë se këngëtarin e ndjerë nuk do ta zëvendësojë askush. “Ne kemi qenë gjithmonë tre. Ka qenë një i tretë që gjithmonë balanconte, prandaj ‘West Side Family’ ka funksionuar shumë mirë si tre. Albani nuk zuri vendin e Florit, por ai ishte më afër për të punuar me ne. Grupi është ‘West Side Family’ dhe nënkupton Landin, Mirin dhe Dr.Florin, nuk mund të jetë ndryshe”, – kanë thënë ata.