Kamerat e sigurisë kanë filmuar momentin e tmerrshëm kur një person i armatosur qëlloi për vdekje reperin Nipsey Hussle, në Los Angeles.
33-vjeçari ishte një nga 3 personat që u qëllua me armë të dielën, jashtë dyqanit të tij të veshjeve.
Kamerat nga një biznes që ndodhej aty pranë filmuan momentin kur një mashkull i veshur me bluzë të zezë i afrohet me qetësi reperit, i cili po qëndronte në këmbë bashkë me dy persona të tjerë.
Pak sekonda më pas shihet sesi Hussle bie në tokë, ndërsa dy të tjerët arritën që të largoheshin nga skena ku ndodhi krimi.
Fillimisht autori qëlloi në drejtim të tyre duke qëndruar larg, por më pas iu afrua shënjestrës dhe në fund madje e shkelmoi. Pas vrasjes ai mësohet se u arratis me makinë.
Sipas TMZ, atentatori bëri një bisedë të tensionuar me Hussle-n para se ta qëllonte me armë.
Nipsey Hussle, emri i vërtetë i të cilit ishte Ermias Davidson Asghedom, mësohet se ka qenë pjesë e bandës së kriminelëve “Rollin ’60”, kur ishte adoleshent. Ai më pas u bë një organizator komuniteti dhe u përfshi në projekte arti.
“Unë u rrita me kulturën e bandës. Ne u morëm me vrasje. Ishte sikur të jetonim në një zonë lufte, ku njerëzit vdesin në këto lagje dhe të gjithë janë thuajse aspak imun ndaj saj”, tha ai në një intervistë në 2018-n.
Mesazhi i fundit që reperi la në Twitter ishte: “Të kesh armiq të fortë është një bekim”. Por për të nuk ishte kështu!