Me të drejtë shumëkush kur dëgjon fjalën mafia imagjinon një organizatë të përbërë nga “burra të veshur seriozë, të kollarisur e të rrezikshëm”.
Por, mafia jo gjithmonë është veshur me smoking, madje shpesh ajo ka veshur fustan.
Në epokën moderne nuk janë të pakta rastet e femrave të fuqishme, që veç shtëpiakes drejtonin edhe biznese të jashtëligjshme me vlerën e miliarda dollarëve, për më tepër pa ngurruar për të vrarë rivalët.
Në fotogaleri, 10 femrat më të famshme që kanë drejtuar grupe mafioze:
Anna Gristina – Në shtator të 2012 zuri faqet e para të mediave pasi u zbulua si koka e një rrjeti të gjerë prostitucioni të klasit të lartë. Ajo siguronte vajza të reja për persona të pasur nga Nju Jorku deri në Los Anxheles. Besohet se për një periudhë 5-vjeçare ka fituar rreth 10 milionë dollarë nga ky aktivitet. Pas arrestimit tha se drejtonte një rrjet takimesh, por më vonë pranoi se kishte ngritur një rrjet ilegal prostitucioni. U dënua me 6 muaj burg.
Maria Licciardi – Mori drejtimin e klanit Licciardi në veri të Napolit pas arrestimit të vëllezërve dhe babait të saj. Fitoi nofkën “Kumbarja” dhe nën drejtimin e saj, klani nisi aktivitetin edhe në fushën e prostitucionit, duke shfrytëzuar vajza edhe minorene nga Europa Lindore, përfshirë Shqipëria, që ky klan i blinte për 2 mijë dollarë. Në vitin 1999 refuzoi të trafikonte një ngarkesë heroine, pasi tha se ishte shumë e pastër dhe do të vriste klientët. Klani Lo Russo e mori në dorëzim ngarkesën dhe e shpërndau atë në treg. Nëntë persona gjetën vdekjen, çka solli reagimin e publikut dhe nisjen e një aksioni të gjerë të policisë italiane. Licciardi u arrestua në vitin 2001 dhe që prej asaj kohë është në burg, nga ku mendohet ende se drejton klanin familjar.
Raffaella D’Alterio – Një tjetër “Kumbare” italiane, e njohur ndryshe edhe si “Kotelja e Madhe”. Mori drejtimin e Camorra-s pasi vrasjes së bashkëshortit të saj, Nicola Pianese. U arrestua në vitin 2012 së bashku me 65 persona të tjerë. Policia sekuestroi makinat e Raffaellas, me një vlerë totale rreth 10 milionë dollarë, përfshirë këtu edhe një Ferrari me targa ari. Para arrestimit u ka shpëtuar disa atentateve nga grupet rivale, në njërin prej të cilëve mori edhe tre plumba. Në 30 vitet e fundit, Camorra besohet se është përgjegjëse për më shumë se 4 mijë vrasje dhe përllogaritet se organizata fiton rreth 200 miliardë dollarë në vit nga aktivitetet e gjëra të jashtligjshme.
Jemeker “Queen Pin” Thompson – Rridhte nga një familje tejet e varfër, por vetë kishte shumë ambicie. Pas martesës me Anthony Mosley nisi trafikun e kokainës në Los Anxheles. Çifti ishte ndër shpërndarësit më të mëdhenj në vitet 1980 në Los Anxheles. Shpejt Mosley u qëllua për vdekje, por Jemeker vazhdoi aktivitetin. U lidh me një furnizues të ri dhe nisi të bënte akoma më shumë para, deri kur furnizuesi u kap dhe gjatë dëshmisë përmendi emrin e Thompson. Për 5 vite iu shmang arrestimit. U rikthye në Los Anxheles për ceremoninë e diplomimit të djalit të saj, ku u arrestua dhe dënua me 15 vite burg.
Rosetta Cutolo – Lindur më 1937 shpejt mori drejtimin e Nuova Camorra Organizzata, pasi i vëllai përfundoi në burg. Nuk ishte shumë e kënaqur nga i vëllai i saj, pasi ai fliste shumë në intervistat që jepte nga qelia. Drejtonte organizatën nga një kështjellë e shekullit të 16-të me 365 dhoma. Në fillim të viteve ’80 iu sos durimi me aksionet e policisë që i sekuestronin mallin dhe urdhëroi hedhjen në erë të stacionit të policisë. I shpëtoi arrestimit deri në vitin 1993, kur u dorëzua vetë, duke thënë se “ishte lodhur nga arratia”. Në procesin gjyqësor, vëllai mori përsipër të gjitha vrasjet, përfshirë edhe hedhjen në erë të stacionit të policisë dhe me imazhin e një të moshuare të pafajshme, Rosetta ja hodhi me vetëm 5 vite burg.
Maria Leon – Arriti të drejtonte nga Meksikë një bandë të shpërndarjes së drogës në Los Anxheles, e gjithashtu të rriste edhe 13 fëmijë. Në 2008, djali i saj, Danny Leon mbeti i vrarë gjatë një shkëmbimi zjarri me policinë amerikane. Marias nuk i lejohej hyrja në SHBA dhe për këtë vendosi të paguajë një grup trafikantësh për të kaluar kufirin ilegalisht, duke mos e ditur që ishte gjatë gjithë kohës në përgjim nga policia amerikane, që e arrestoi dhe gjatë procesit gjyqësor u dënua me 8 vite burg.
Thelma Wright – Burri i saj, Jackie Wright u vra në vitin 1986. Pas kësaj, Thelma mori në dorë biznesin e familjes, që ishte trafiku i kokainës së cilësisë së parë mes Los Anxhelesit dhe Filadelfias. Në vitin 1991 i shpëtoi mrekullisht një tentative për ta vrarë. Ishte ky momenti kur vendosi të hiqte dorë nga krimi. U bë shkrimtare dhe në 2011 frymëzoi të rinjtë përmes një fjalimi ku u kërkonte të qëndronin larg krimit. “Është një lojë që nuk fitohet!”, ishte shprehja e saj.
Judy Moran – Lindur më 18 dhjetor të 1944, njihet si matriarka e familjes Moran në Melburne të Australisë. Kjo familje drejtonte një rrjet trafiku droge dhe për vite me radhë tmerroi jo vetëm publikun, por edhe rivalët e tjerë kriminalë. Në 2009 u arrestua dhe u dënua me 26 vite burg.
Claudia Ochoa Felix – Bukuria dhe hiret trupore i dhanë nofkën “Kim Kardashian i krimit të organizuar”. U bë e famshme falë një imazhi të postuar në Instagram, ku shfaqej me një Kallashnikov të larë në ar. Në 2014, pas vdekjes së të dashurit, Jose Rodrigo Arechiga Gamboa, njohur si “El Chino”, mori drejtimin e kartelit Los Antrax, që nga SHBA konsiderohet si karteli më i fuqishëm në botë i trafikut të drogës.
Sandra Avila Beltran – E lindur më 11 tetor të 1960 fitoi nofkën “Mbretëresha e Paqësorit”, kur mori nën kontroll një kartel droge në Meksikë. Është martuar dy herë dhe në të dyja rastet bashkëshortët e saj ishin policë të shndërruar në trafikantë, e të ekzekutuar nga vrasës me pagesë nga grupet rivale. Beltran ishte shumë e zgjuar duke mos lënë asnjë gjurmë të aktivitetit të saj, por kjo zgjati deri në vitin 2002. Në 2007 u dënua me burg.