Bill Clinton thotë se do të përgjigjej edhe sot njësoj si në vitin 1998 në lidhje me marrëdhënien e tij me Monica Lewinsky-n.
“Nëse faktet do të ishin të njëjtat, nuk do të përgjigjesha ndryshe”, tha ai në një intervistë në NBC.
Ndërsa një sërë rastesh abuzimi seksual kanë dalë në dritë në kuadër të lëvizjes #MeToo, Clinton u pyet nëse skandali që e përfshiu atë vetë 20 vjet më parë u menaxhua me sukses.
“Mendoj se kam bërë gjënë e duhur”, tha ai në lidhje me këtë.
Clinton në atë kohë u hetua për dyshimet se i kishte gënjyer hetuesit në dëshminë e parë mbi skandalin seksual që përfshiu Shtëpinë e Bardhë.
Lëvizja për shkarkimin e Clintonit u nis nga republikanët, çka e bëri Clintonin presidentin e dytë në historinë e Amerikës që vihej në një situatë të tillë.
Megjithatë, ai mbeti në pushtet deri në vitin 2001.
Clinton tha se nuk i ka kërkuar kurrë personalisht falje zonjës Lewinsky.
Por shtoi se e ka bërë këtë në disa raste publikisht.
Ish-praktikantja e Shtëpisë së Bardhë ka pranuar gjithnjë se marrëdhënia me presidentin ka qenë konsensuale, por e ka quajtur “abuzim me pushtetin” nga ana e tij.
Lewinsky është shprehur në vitin 2014 se “abuzimi” erdhi kur gjërat dolën në dritë dhe asaj iu desh të sakrifikohej në mënyrë që presidenti të mos humbte pushtetin.
Lajmet për marrëdhënien e presidentit Clinton me praktikanten Monica Lewinsky dominuan axhendën politike të fundit të viteve ’90.
Fillimisht, Clinton e mohoi se kishte pasur marrëdhënie seksuale me Lewinsky-n, por më pas u detyrua të pranonte “kontaktet fizike intime dhe të papërshtatshme”.
Deklarata e tij fillestare: “Unë nuk kam pasur marrëdhënie seksuale me atë grua” ka mbetur në memorien kolektive si një nga gënjeshtrat më të mëdha të thëna nga një njeri i politikës.