Pesë vjet më parë, në gusht të 2013 një sulm që nuk ishte parë ndonjëherë më parë në vendin tonë i ndodhi një vajze të re, në atë kohë vetëm 23 vjeç.
Bëhet fjalë për sulmin me acid ndaj Vilma Dules, e cila punonte si menaxhere e burimeve njerëzore pranë një call center-i italian.
Për disa vite e reja u kurua jashtë vendit, pasi siç deklaroi ajo vetë në Shqipëri nuk mund të gjente dot mbështetje financiare dhe as sigurie, duke qenë se autori nuk u gjet kurrë.
Ka disa kohë që 28-vjeçarja është rikthyer në rrjetet sociale, ndërsa së fundmi ajo i është përgjigjur një pyetje që me sa duket e ka acaruar.
“Mund të ma shpjegosh pse të hodhën acid? Bëre ndonjë gjë që s’duhej apo jo?”-e pyet ndjekësja.
Dhe Vilma i është përgjigjur:
“Nuk e kuptoj logjikën e pyetjes tënde. Sipas mendimit tënd, cili veprim i keq i imi do justifikonte këtë krim të tmerrshëm? Nëse do të dije arsyen e sulmit do ta justifikoje hedhjen e acidit ndaj meje?”
Duket se kjo e ka bërë të reflektojë ndjekësen, e cila nuk i ka kthyer më përgjigje.