”ÇFARË DO TË DOJA TË MOS MË KISHIN THËNË KURRË”/ Rrëfimi i një vajze shqiptare me depresion – AlpeGossip
”ÇFARË DO TË DOJA TË MOS MË KISHIN THËNË KURRË”/ Rrëfimi i një vajze shqiptare me depresion

”ÇFARË DO TË DOJA TË MOS MË KISHIN THËNË KURRË”/ Rrëfimi i një vajze shqiptare me depresion

“E dini, në përfundim të njëzetave, pak muaj para se ta gjeja veten me një prefiks të ri, kuptova se stresi flinte brenda meje prej kohësh. Si pasojë e shkollës, karrierës, problemeve personale dhe familjare, i kisha trajtuar simptomat e stresin me medikamente, të cilat nuk dua t’u përmend as emrin, pavarësisht se kushdo që ka qenë në situatën time, e kupton mjaft mirë se për çfarë bëhet fjalë.

Gjithsesi, po ju shkruaj për një tjetër qëllim. E thashë edhe më sipër që stresi po më shkatërronte dhe unë as që e kuptoja, derisa një ditë, në një debat e sipër, dikush m’u drejtua me “shiko, se po më fut dhe mua në depresion kështu si bën ti”. Shërbeu ajo fjali që t’i futesha kërkimeve, internetit, broshurave dhe të kuptoja se në fakt isha në depresion.

Nuk po flas për gjithë ç’ndodhi më pas pasi dyshoj që të ketë vlerë. Për mua, pa u zgjatur shumë, është e rëndësishme që njerëzit, ata që nuk janë në depresion, por kanë mik a familjar që vuan nga kjo sëmundje e rëndë, të dinë të sillen. Nuk është e lehtë, unë i kuptoj, por së paku të përpiqen.

Njerëzit që janë në depresion janë si fëmijët, të cilët kanë nevojë për dikë që t’i ndihmojë të ecë, përpara se të vrapojnë.

Gjatë periudhës kur mendja ime ishte me të vërtetë një lëmsh i madh, rastiste që të më sugjeronin që “të dilja të bëja qejf” se kështu do të hiqja mendjen. Dua që përmes kësaj letre njerëzit të kuptojnë që nuk bëhet fjalë për një ditë. Nuk bëhet fjalë as për shumë ditë. Janë javë e muaj të tërë. Ndoshta vite. Pra, mos i thoni dikuj me depresion që të dalë e të bëjë qejf. Të siguroj që nuk po e ndihmon aspak.

“Hë tani, jepi forca vetes” më shkruante një shoqe. E kuptoj që u përpoq të më jepte kurajo, por gjithsesi nuk do të doja të ma kishte thënë. Fjalitë kaq “frymëzuese” thjesht ma përplasnin në fytyrë faktin se mos ndoshta nuk po bëja sa duhej.

Do të doja gjithashtu që të mos më shkruanin se “e dinin si ndihesha dhe më kuptonin”. Si? “Ti nuk ke qenë kurrë në depresion,” ulërisja brenda meje. Si dreqin mund ta dish?! Do të doja që njerëzit të kuptojnë që ndjenjat nuk janë njësoj. Njerëzit e përballojnë dhe e përjetojnë ndryshe.

Ime më, që gjithë jetën është përpjekur të mos më mungojë gjë, në pamundësi për të më ndihmuar, më thoshte vazhdimisht “pse duhet të jesh në depresion?”. Për të, mua nuk më mungonte asgjë. E drejtë, kisha gjithë të mirat (materiale). Por si t’ja shpjegoja që nuk më plotësonin? Se ndihesha bosh? Thjesht do të doja të mos ma kishte thënë.

Për nënën time, “unë kisha jetën përpara”. Po, por a do të quhej jetë ajo me depresion? Për mua jo. Sërish shpresoja që të mos ma përmendte më si fjali.

Nëse po pyesni veten se çfarë do të doja të më kishin thënë, ndoshta do të ishte mirë që së paku një ta trajtonte situatën time ashtu siç ishte, pa e minimizuar.

Njerëzit me depresion nuk kanë nevojë për keqardhje, por mbështetje. Kanë nevojë që dikush t’u thotë se kanë besim tek ata. Ndonjëherë duhet thjesht një shpatull e ngrohtë, pa qenë nevoja të thuash asgjë.

Për ta mbyllur, a jam sot me depresion? Nuk e di. Them se ja dola. Sot, ndihem mirë dhe e dua jetën.

Depresioni për mua dhe për shumë njerëz të tjerë, është një bishë që fle në një cep të errët të shpirtit. Ne përpiqemi çdo ditë që të mos e zgjojmë.” – shkruar nga një vajzë anonime për Anabel; redaktuar nga Anabel me rastin e Ditës Botërore të Ndërgjegjësimit për Shëndetin Mendor.

Marrë nga: AnabelMagazine.al