Një intervistë e transmetuar mbrëmjen e djeshme në emisionin “Top Arena” ka rikthyer në vëmendje marrëdhëniet mes ish-banorëve të “Big Brother VIP Albania 5”.
E ftuar në rubrikën “Kaq”, të moderuar nga Brikena, ishte Greta Kazazi, e cila u pyet për komentet që ajo, Selin, Gimbo dhe Shëndriti kishin bërë për moderatoren gjatë qëndrimit në shtëpinë e “Big Brother VIP”.
Brikena deshi të dinte nëse mendimi i tyre kishte ndryshuar pas përfundimit të formatit, ndërsa Greta zgjodhi të mos rikthente debatet e së kaluarës.
“Gjithmonë mbetet shija e mirë dhe respekti për njëri-tjetrin. Loja ka përfunduar”, u shpreh ajo, duke lënë të kuptohet se nuk dëshiron t’u japë më rëndësi situatave të krijuara gjatë spektaklit.
Pak pas transmetimit të intervistës, një postim i Selin në Instagram tërhoqi vëmendjen e ndjekësve. Fituesja e “Big Brother VIP Albania 5” publikoi një material që fliste për çrregullimin e personalitetit narcisist, të shoqëruar me një koment që u interpretua nga shumë si ironik.
“Kam faj unë që kam TV dhe rrjete sociale, që ato që më humbin në TV m’i nxjerr Zoti në IG. Gjithsesi, sharing is caring…”, shkroi Selin.
Edhe pse nuk përmendi asnjë emër, koha e publikimit bëri që ndjekësit ta lidhnin postimin me intervistën e Gretës dhe pyetjen e Brikenës. Deri më tani, as Selin dhe as Brikena nuk kanë reaguar për të sqaruar nëse postimi kishte lidhje me këtë episod, ndaj interpretimet mbeten në nivel aludimesh.














