DASMA E MUNGUAR E LEDRI VULËS DHE SARA HOXHËS/ Pse reperi nuk e ndan mendjen për martesë – AlpeGossip
DASMA E MUNGUAR E LEDRI VULËS DHE SARA HOXHËS/ Pse reperi nuk e ndan mendjen për martesë

DASMA E MUNGUAR E LEDRI VULËS DHE SARA HOXHËS/ Pse reperi nuk e ndan mendjen për martesë

Sara Hoxha dha një ndër intervistat e saj të rralla pak ditë më parë. E ftuar në “Goca dhe Gra”, ajo u intervistua nga Armina Mevlani, duke zbuluar shumë detaje rreth jetës së saj me Ledri Vulën. Por Sara nuk foli për atë që ne prisnim: dasmën e tyre. Nga ana tjetër, edhe pak javë më parë, Ledri Vula ishte i ftuar i Donaldit dhe Romeos, por sigurisht që tematika e dasmës u anashkalua, duke mos dhënë shumë detaje.

Duke folur për dashurinë me Sarën, ai nuk tha asgjë në lidhje me martesën. Këngëtari i ftuar në programin “Më lër të flas”, ka treguar se çfarë kishte ndryshe Sara nga vajzat e tjera që arriti t’ia rrëmbente zemrën. Ledri tha se ajo e ka mbështetur dhe kanë pasur raporte shumë të mira që në fillim, gjë e cila e ka mbajtur të gjatë marrëdhënien e tyre.

“Kishte shumë lekë vëlla. A e di si mendoj unë, po nuk qe e bukur, nuk të tërheq. Më pas edhe po të jetë e bukur dhe e keqe brenda, nuk të duhet. Ajo çfarë më ka tërhequr, na ka ecur muhabeti dhe shumë shpejt jemi njohur me njëri-tjetrin dhe e kemi ndihmuar njëri-tjetrin. Raporti i mirë na ka mbajtur bashkë”.

Ledri dhe Sara ndajnë edhe një vajzë bashkë dhe duke qenë se artisti tashmë është i angazhuar me koncerte nëpër vende të ndryshme, i duhet të udhëtojë shpesh dhe u shpreh se dëshiron shumë të jetë me vajzën e tij.

“Mua më bie shumë me udhëtuar, asnjë fundjavë nuk jam në shtëpi, edhe në këtë moment që po kthehem, mezi po pres të rri me të, kur shkojnë ditët kur s’e takoj. Kur thotë një fjalë të re, nuk kam qenë aty kur e ka mësuar, sa gëzohesh edhe të dhemb se nuk ke qenë aty dhe mundohem mos të humb asnjë sekondë me të”, tha reperi për “Poem”.

I pyetur për martesën, ai tha se ka qejf të shkojë në dasmat e shokëve, por jo të bëjë të tijën. Duke i rënë shkurt, ai tha se do t’i propozonte Sarës, por donte një ide origjinale. Megjithatë, vështirë se martesa e çiftit është shtyrë vetëm nga ideja e munguar e propozimit. Nga ana tjetër, në videon e festës së 30-vjetorit, Sara dëgjohet të thotë se Ledri ka një surprizë për mua dhe ndoshta do të më propozojë, por duket se surpriza që Sara priste, nuk erdhi as në festën e 30-vjetorit.

Ndonëse një ndër dyshet më të konsoliduara, Ledrit i pëlqen statusi beqar dhe çifti s’ka ndërmend për dasmë, të paktën as deri vitin e ardhshëm. Por Sara nuk duket e vetmja që mezi po e pret martesën me të. Edhe prindërit e reperit kanë folur në media për sugjerimin që i bëjnë shpesh çiftit për të bërë dasmën e tyre.

“Ledri dhe Sara tani janë në plan të dytë. Plani i parë është Poi. Dashuria ndaj ‘syrit të syrit’ është diçka… Unë tani i kam dy vajza: Sarën dhe Poin”. Jo vetëm kaq, por Xheraldina ka përshkruar dhe djalin e saj. “Ledri është pak introvert. Nuk del nga shtëpia pa i përqafuar dhe përshëndetur të gjithë. Është shumë i dashur, është shumë empatik, e ka qejf botën e vet, kohën e vet. Sara po ia kupton botën shumë mirë. Kohën e vet e sakrifikon për Poin. Thotë mos më festoni ditëlindjen, mos më bëni surpriza, por kur ia bëjmë, i shijon shumë”.

Por dy fjalë i ka edhe Agroni, i cili tha: “Flasim si babë e djalë. Bisedat kryesore i bën me Xheraldinën. Por ka gjëra edhe mes burrave… Sara dhe Ledri jetojnë me ne. Ata do ikin. Edhe ne kemi dëshirë që ata të ikin. Të jenë vetë, t’i çelin rrugën e vetvetes. I kam thënë të bëjë dy dasma. Një për miqtë e një për familjarët”, u shprehën prindërit e Ledrit, por që duket se ende nuk kanë arritur ta bindin të birin.

Reperi, i cili është ndër momentet e tij më të mira të karrierës, nuk e ka në planet e tij martesën, sepse mendon se është vetëm një lodhje e madhe. E për sa kohë dasma e munguar nuk prek marrëdhënien me Sarën, asgjë nuk ndryshon për të. Nga ana tjetër, në intervistën e saj, Sara foli për herë të parë për marrëdhëniet që ka me ish-partneret e Ledrit.

Nëse ka diçka që ka habitur shumë njerëz dhe ka nxitur polemika të shumta, ka qenë takimi i Sara Hoxhës me Dua Lipën dhe Dafina Zeqirin, që kanë qenë ish-të dashurat e Ledri Vulës. Fillimisht në 2020-ën, kur sapo kishte zyrtarizuar lidhjen me Ledrin, Sara u shfaq me Dafinën në prapaskenat e klipit të saj me Ledrin dhe Lumi B.

Në vitin 2011, Dafina dhe Ledri bënë publike lidhjen që aludohej prej kohësh, e cila përfundoi në vitin 2012. Dhe më pas, në 2021- shin, kur Dua ishte në vendin tonë me familjen e saj, ajo takoi Sarën, Ledrin dhe Poem. Fotot e tyre bënë xhiron e rrjetit, pasi Dua ka qenë në lidhje me Ledrin rreth vitit 2013. Më në fund, Sara ka folur rreth këtyre takimeve.

E ftuar në “Goca dhe Gra”, Sara tha se ndihet shumë rehat me veten dhe nuk ndikohet nga e shkuara e Ledrit. “Qëndrova pak me Duan, konsuamuam një kafe familjarisht. Pastaj Dua donte të takonte Poem dhe bëmë disa foto. Siç kam pasur shumë komente të mira, kam pasur edhe negative të tipit ‘Si e takove ti atë?!’. Mua nuk më intereson e shkuara e Ledrit dhe nuk ndikohem.

As ai nuk e ka problem të shkuarën time. U takuam kur isha 25-26 vjeçe, kështu që nuk ka asnjë problem. Madje unë them ‘shyqyr’ që ka qenë Dua dhe jo ndonjë tjetër. Dhe me Dafinën kam raporte të mira. Është super gocë, e respektoj, më respekton!”, tha Sara. Duket se deri verën tjetër, ky çift nuk ka plane për të celebruar dashurinë e tyre, veç nëse Ledri ndryshon mendim dhe gjen idenë brilante për propozimin e shumëpritur, jo vetëm nga Sara.