Depresioni pas lindjes është një nga gjërat më të zakonshme. Sipas Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (në Amerikë), 11-20% e femrave që lindin i kanë këto simptoma. Por ndodh që ju mund t’i përjetoni këto shenja një vit pas lindjes.
Por si i kuptoni që i keni? Ndërsa çdo femër është ndryshe, ka tema që përputhen kur flitet për simptomat. Ju mund të përjetoni një, ose kombinimin e disave, ose të gjitha simptomat, gjithçka varet nga personi. Ato që kanë përjetuar depresion apo çrregullime bipolare më parë, kanë një histori të sëmundjeve mendore në familje, mungesë mbështetje emocionale nga partneri apo komplikime gjatë lindjes, mund të jenë më të rrezikuarat.
1.Të marrësh një vendim duket diçka terrorizuese
Nënat e prekura nga depresioni pas lindjes kanë gjatë gjithë kohës ndjesinë se vendimet e tyre lidhur me fëmijën mund ta dëmtojnë atë. Ato janë të terrorizuara nga marrja e vendimeve dhe mendojnë se nuk po bëjnë një punë të mirë.
2.Nuk fle as kur fle fëmija
Pjesa më e madhe e nënave të reja nuk flenë gjumë sa duhet në muajt e parë pas lindjes. Por, në rastin e depresionit pas lindjes, nënat shpesh nuk flenë as kur foshnja fle dhe mungesa e gjumit sjell probleme të reja.
3.Ndihesh e trishtuar dhe e stresuar gjatë gjithë kohës
Ekspertët shprehen se është normale që në javët e parë pas lindjes, nëna të ndihet disi e mërzitur, të qajë apo të ndihet e stresuar. Por, nëse kjo gjendje vijon për një kohë më të gjatë, do të thotë se mund të keni të bëni me depresion pas lindjes.
4.Mendoni se mund të lëndoni veten ose fëmijën
Edhe nëse nuk keni kurrë ndërmend të bëni një gjë të tillë, por këto mendime ju kalojnë nëpër kokë, është shenjë se duhet të flisni me një mjek. Sigurisht që mund të keni turp të flisni me dikë tjetër për këto mendime, por ndihma e menjëhershme është një domosdoshmëri, si për ju, ashtu edhe për fëmijën dhe familjen tuaj.