E DËGJOI TË KËNDONTE/ Çfarë tha Adriano Celentano për artistin e ndjerë shqiptar – AlpeGossip
E DËGJOI TË KËNDONTE/ Çfarë tha Adriano Celentano për artistin e ndjerë shqiptar

E DËGJOI TË KËNDONTE/ Çfarë tha Adriano Celentano për artistin e ndjerë shqiptar

Po bëhen dy vite nga dita kur Françesk Radi u nda nga jeta dhe bashkëshortja Tefta po përgatit një libër në nder të tij.

“Libri do të jetë i veçantë edhe për nga mënyra sesi do të vijë tek lexuesi jeta dhe krijimtaria e kantautorit, të cilat i ka rrëfyer dhe lënë të shkruara vetë”, shprehet Tefta Radi për gazetën “Dita”.

Në këtë libër miqtë dhe bashkëpunëtorë të Françesk Radit do të ndajnë gjithashtu kujtimet e tyre me kantautorin e mirënjohur. Njëri prej tyre ka ndarë një nga momentet e veçanta që e lidhin Radin me artistin italian, Adriano Celentano-n.

Është shkrimtari Shpend Sollaku Noé, i cili tregon se kohë më parë pati mundësinë të takonte Celentano-n dhe t’i tregonte zërin e mrekullueshëm të Françesk Radit.

“Më ra rasti, dikur, andej nga fundi i viteve ’90, tʼi jepja të dëgjonte Adriano-s një ‘cover’ tjetër të këngës ‘Susanna’, të interpretuar më parë në italisht po prej Celentano-s. Ai, sipas mënyrës së vetë, komentoi: ‘Po ky jam unë, domethënë, duhet të jem unë, domethënë, nuk jam unë, por një që më duket më mirë sesa të isha unë’. I tregova se këngëtari që po dëgjonte ishte shqiptar, që quhej Françesk Radi, një kantautor i shquar, që edhe e kish pësuar prej muzikës së tij në kohën e diktaturës. I premtova që t’i dërgoja një CD të plotë të Françeskut tonë, porsa të më binte në dorë”, shkruan në kujtimin e tij Shpend Sollaku Noé.