Në mesazhin e saj, Antigona shprehet se ndonëse ndihet e lodhur fizikisht, zemra e saj është e mbushur me falënderim dhe dashuri për të gjithë ata që i kanë qëndruar pranë gjatë kësaj periudhe të vështirë.
Ajo thekson se vendimi për ta bërë publike këtë përvojë nuk ka qenë i lehtë, por është nxitur nga dëshira për të ndërgjegjësuar vajzat dhe gratë që të mos neglizhojnë kontrollet mjekësore, edhe kur simptomat duken të vogla apo të parëndësishme.
Reagimi i Antigonës u shoqërua menjëherë me fjalë tejet prekëse nga vajza e saj, Beatrix Ramosaj. Këngëtarja e përshkroi nënën si forcën dhe heroinën e jetës së saj, duke vlerësuar qëndrueshmërinë dhe fuqinë shpirtërore që ajo tregon edhe në momentet më të vështira.
“Edhe kur dhimbja mundohet ta rrëzojë, ajo zgjedh të buzëqeshë. Forca e saj është më e madhe se çdo stuhi”, shkroi mes të tjerash këngëtarja.
Mesazhi i plotë i Antigona Ramosajt:
Miqtë e mi, këto ditë po kaloj një nga betejat më të vështira të jetës sime, luftën me kancerin. Sot sapo kam përfunduar kimioterapinë e parë dhe ndihem shumë e lodhur, por zemra ime është plot. Doja t’ju them sa shumë ju dua dhe sa mirënjohëse jam për secilin prej jush. Për fjalët e bukura, lutjet, mesazhet dhe dashurinë që ma keni dhënë çdo ditë.
E vetmja arsye pse po shkruaj publikisht është për të inkurajuar vajzat dhe gratë që të mos i lënë pas dore kontrollet mjekësore, as për shqetësimet më të vogla. Me shumë dashuri, dhe e mbushur me forcë për të luftuar.
Mesazhi i Beatrix Ramosaj:
Mami im, forca ime, jeta ime. Edhe kur dhimbja mundohet ta rrëzojë, ajo zgjedh të buzëqeshë. Edhe kur trupi i saj lodhet, shpirti i saj mbetet i pathyeshëm.
Ti je heroina ime @antigoneramosaj. Mëson të gjithëve se çfarë do të thotë të duash pa kushte dhe të luftosh pa u dorëzuar. Jam pafundësisht mirënjohëse që kam fatin ta quaj nënën time, edhe pse zemra më copëtohet duke e parë të ecë nëpër këtë stuhi.
Ti do t’ia dalësh, mami. Sepse forca jote është më e madhe se çdo stuhi.














