Lajmin e hidhur e ka bërë të ditur këngëtari Ilir Shaqiri, me anë të një postimi në rrjete sociale.
“Kambanat arbëreshe sot na e dhanë kumtin e trishtueshëm. Flamujt e komunitetit artistik arbëror janë ulur në gjysmështizë, është ndarë nga jeta poeti, kantautori, artisti i madh arbëresh Zef Kakoca.
Ai u lind në Shën Mitër – Korone të Kalabrisë me 27 shtator, 1957.
Bëri studimet klasike te Kolegji i Shën Adrianit, aty ku mësoi dhe ligjëroi De Rada i madh. Universiteti i Kalabrisë i dha titullin profesor në Gjuhë dhe Letërsi të huaj, duke mbrojtur suksesshëm disertacionin mbi veprën e Fan Nolit.
Punën e vazhdoi si profesor i gjuhës franceze në Rossano, ku dhe banonte.
Si autor, kompozitor dhe këngëtar fitoi gjashtë herë Festivalin e Këngës Arbëreshe, në të cilin ka qenë dhe drejtor artistik për katër vjet.
Recitalet muzikore – teatrale “De Rada dhe Milosao” me grupin artistik “Zjarri i Ri”, “Rrënjat e Arbërisë” (Le radici dell’ Arbëria), “Udhëtimet e Arbërisë” (I percorsi dell’ Arbëria) dhe “Homazh De Radës”, ishin produkt i shpirtit dhe mendjes së tij brilante.
Aktivitetet kulturore, artistike e teatrale i shtriu në të gjitha katundet arbëreshe dhe këndej detit: në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Mal të Zi.
Nga publiku dhe nga kritika është konsideruar personaliteti më artbërës dhe përfaqësuesi më autentik i këngës poetike arbëreshe, përçues dinjitoz i traditës, historisë dhe kulturës arbërore”, ka shkruar ai.