I ftuar në studion e “Wake Up” në Top Channel mëngjesin e sotëm (e martë, 26 mars), Ermal Mamaqi foli ndër të tjera edhe për filmin “Dy Gisht Mjaltë”. Isli Islami e pyeti në lidhje me deklaratën e Ervin Bejlerit se “filmi ‘Dy Gisht Mjaltë është një film komercial, për të bërë lekë dhe kaq”.
Pak ditë më parë, Bejleri, i ftuar në emisionin “Rreze Dielli” në Report Tv, u shpreh kështu në lidhje me eksperiencën e tij si aktor në “Dy Gisht Mjaltë”:
“Është një film komercial, është një film për të bërë lekë. Vlera artistike?! Nuk e kam parë ende. Stafi ishte shumë korrekt, si ai teknik, si ai produksional. Është një film komercial, për të bërë lekë, por që për mua këta filma duhet të prodhohen pse jo? Ka nevojë populli, ka nevojë publiku. Italianët ka vite që bëjnë këto lloj filmash.”
Mamaqi, që nuk ishte në dijeni të deklaratës, tha në “Wake Up”:
“Ervini është një djalë shumë i mirë, shumë i talentuar dhe shok i vjetër që nga Portokallia. Nuk e besoj ta ketë thënë me të keq. Fjala ‘komercial’ në shumë raste duket si diçka e keqe, ka krijuar një lloj imazhi të keq të gjërave që shiten. Kur gjërat shiten u humbet vlera se njerëzit thonë ‘hë se kjo shitet, është komerciale’. Por kjo s’do të thotë se gjërat komerciale nuk kanë vlera.”
Ermal Mamaqi dhe Elvana Gjata janë protagonistët e filmit, një komedi romantike që do të lançohet më 28 mars në të gjitha kinematë në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni. Fabula ndërtohet rreth një historie shqiptare dashurie që ka brenda romancën, ndarjen, trishtimin, rilidhjen, dasmën, aventurën, çmendurinë etj.