Jemi në kohën e aksesorëve të kokës! Pas rikthimit të karficave, rrethet e mëdhenj po pushtojnë Instagram-in.
Të gjithë janë fiksuar me këtë aksesor, jo vetëm sepse u jep më shumë stil, por është edhe një shpëtimtar në ditët kur flokët tuaj s’duken aspak bukur.
Ishte fillimisht Prada, që me koleksionin Pranverë 2019 zgjodhi që modelet të mbanin nga një rreth me nuanca të errëta në kokë. Por ju mund të guxoni me ngjyrat, detajet e tij, si gurët dhe perlat që e zbukurojnë apo dhe materialet, ndërsa zgjidhni mes lëkurës, satenit dhe kadifes.
Me siguri do t’ju kujtojë kohën e adoleshencës dhe fëmijërisë, ndërsa pendoheni pse nuk e keni ruajtur një të tillë.