Historia që përloti publikun: Nxënësja i kërkon mësueses të bëhet nëna e saj – AlpeGossip
Historia që përloti publikun: Nxënësja i kërkon mësueses të bëhet nëna e saj

Historia që përloti publikun: Nxënësja i kërkon mësueses të bëhet nëna e saj

Në rubrikën “Ka një mesazh për ty”, tek “E diela shqiptare”, ditën e sotme ishte e ftuar Elida e cila tregoi historinë prekëse të jetës së saj dhe sesi mësuesja i kishte shpëtuar jetën.

Elida tregoi se kur ishte 12 vjeçe babai i kishte vdekur nga kanceri. Për dy vite ajo ishte mbyllur në vetvete dhe vetëm qante. Më vonë ishte sëmurë rëndë dhe mamaja e kishte çuar në spital.

Aty kishin dyshuar se Elida kishte kancer meqë babai i saj kishte humbur jetën nga kjo sëmundje. Kur kishte marrë vesh për gjendjen e Elidës, mësuesja e saj kishte shkuar tek shpia dhe e kishte çuar atë në sanatorium ku pasi kishte bërë kontrollet kishin zbuluar që ajo kishte tuberkuloz.

“Kam arritur këtu ku jam sot, falë mësueses dhe stafit të sanatoriumit. Kam 27 vite që nuk e kam takuar mësuesen. Me krenari të madhe mund të them që ajo sot mund të jetë nëna ime”, u shpreh Elida e cila e kishte thirrur mësuese Valin në emision.

Mësuesja erdhi dhe kishte sjellë dy libra dhuratë, një për Arditin dhe një për personin që e kishte ftuar, ndonëse ende nuk e dinte kush fshihej prapa murit.

 

Mësuesja u përlot kur pa që e kishte thirrur Elida të cilën e njohu menjëherë.

 

“Mësuese Vali nuk do mjaftonte as edhe një emision, as jeta ime që të flas për ty. Dua publikisht ta shpreh atë që bëtë për mua, që ma dhuruat jetën, që të jem këtu sot pranë jush, që të kem dy fëmijë, të kem një jetë të lumtur. Pa praninë tuaj ndoshta s’do isha këtu. Nëse nënën time biologjike e kam humbur do kisha dëshirë të ishe nëna ime. Dua të mos i humbasim kontaktet. Vendosa të vij në këtë emision për të të kërkuar të jesh nëna ime dhe fëmijët e mi të bëhen nipërit tuaj. Të kam mbajtur në zemrën time, s’të kam harruar. Në jetën time ti ishte një ëngjëll”, i tha Elida mësueses dhe e ftoi të vinte në Gjermani aty ku ajo sot jeton, shkruan Xing.al.

 

“Kam bërë detyrën me përgjegjësi, me ndjenjën për të arritur diçka ajo vetë në jetën e saj. Të gjithë nxënësit për mua janë një familje e madhe”, u shpreh mësuese Vali duke shtuar se është e vështirë që ajo të shkojë në Gjermani ndërsa Arditi u tregua i gatshëm ta shoqëronte kurdo që ajo të vendosë të shkojë.

 

Elida dhe mësuesja u përqafuan dhe hoqën mallin e shumë viteve pa u parë. Në fund Elida i kishte sjellë mësueses edhe një dhuratë shumë domethënëse, një varëse me pemën e familjes.