Prej vitesh tashmë Salsano Rrapi e prezanton “Portokallinë” krah Xhemit ndërsa më parë krah tij ishte këngëtarja Eneda Tarifa. Salsano ka pasur marrëdhënie shumë të mira me të dy bukuroshet, por megjithatë mes tyre ka ndryshime të vogla.
I ftuar sot në emisionin “Rreze dielli”, Salsano u shpreh se me Xhemin ndihet më rehat duke qenë se ajo bën shpesh batuta ndërsa Eneda sipas tij ishte më strikte.
“Krahasimisht të dyja janë të mira, por me Xhemin vazhdoj të jem, kimia ka qenë njësoj edhe me Enedën. Duke qenë natyra të ndryshme femërore kimia ime është e ndryshme me to. Eneda ka qenë më strikte, se erdhi nga një profesion që këndonte. Ndërsa Xhemi ka edhe eksperiencë më parë si prezantuese. Xhemi është vajzë që batutën e ka në majë të gjuhës, kurrë nuk ngel. Është bërë shumë e mirë si aktore. Atë që nuk bëjnë dot aktorët moderimin, të dalësh të bësh veten është shumë e vështirë, dhe Xhemi e bën mirë këtë. Xhemi më rri ngjit”, u shpreh Salsano.