Prej vitesh “Kenga Magjike 2018” ka ndjekur një traditë të njëjtë sa u përket votimeve të këngëve për natën finale. Votimi është i hapur për të gjithë dhe janë këngëtarët ata që vendosin duke deklaruar vetë votat e tyre për kolegët.
Dhe pikërisht duke qenë i hapur dhe transparent, çdo vit ka pasur debate dhe dilema mes konkurrentëve për të votuar këngën më të mirë apo artistin me të cilin kanë raporte të mira.
Ashtu si çdo vit, edhe këtë herë producenti dhe moderatori i festivalit Ardit Gjebrea, u ka kërkuar konkurrentëve që të votojnë për këngën që e meriton vërtet të quhet “magjike”.
Burime për “Iconstyle.al”, konfirmojnë se sot Gjebrea ka mbledhur këngëtarët e “Këngës Magjike”, për t’u bërë atyre thirrje që të tregohen artistë në votime.
Producenti e ka cilësuar si të “pamundur” faktin që disa këngëtarë të vlerësojnë me 0 pikë, këngën që rrëmben çmimin e parë, të dytë apo edhe atë të tretë.
Kjo gjë ka ndodhur dhe kemi qenë vetë dëshmitarë, ndaj dhe sipas burimit për “Iconstyle.al”, Ardit Gjebrea ka dhe një listë me këngëtarë që nuk ua hap dyert e “Këngës Magjike”:
“Një këngë që merr çmimin e parë, të dytë apo qoftë edhe të tretë, është e pamundur që të marrë 0 pikë, e pa mundur sepse është mendimi i shumicës. Dhe unë kam këngëtarë të cilët nuk vijnë, dhe nuk ua them emrat, por ka këngëtarë që nuk ua hap më derën.
Do të thoni ju punë e madhe ka shumë dyer, por sigurisht punë e madhe ka dhe shumë këngëtarë shyqyr që jeni shyqyr që ju kam. Le të qëndrojmë kështu siç jemi, pjesë e kësaj maxhorance, pjesë e kësaj shumice”, është shprehur Gjebrea.
Ky vit do të jetë i veçantë pasi shënohen 20 vite që nga festivali i parë i “Këngës Magjike”. Në këtë përvjetor do të konkurrojnë zërat më të njohur dhe të pëlqyer të muzikës shqiptare, që do të performojnë në një skenë gjigante që ka kursyer shumë vende nga publiku për t’u ndërtuar.