“KËNGËTARI I BALADAVE”/ Shkumbin Ismaili: Mosmirënjohjen nuk e toleroj – AlpeGossip
“KËNGËTARI I BALADAVE”/ Shkumbin Ismaili: Mosmirënjohjen nuk e toleroj

“KËNGËTARI I BALADAVE”/ Shkumbin Ismaili: Mosmirënjohjen nuk e toleroj

Më shumë se një dekadë që merret me shpirt e me zemër me një art që bën të të flasin të gjitha shqisat, me muzikën . Këngëtari nga Tetova që njihet për baladat super të klikuara në rrjetet sociale. Bëhet fjalë për Shkumbin Ismailin.

Tek ai gjejmë të kombinuara të gjithë komponentët e një artisti të mirëfilltë, aktrimin, zërin, videoklipe të mirëmenduara, bashkëpunime me artistë të mirënjohur etj.

Këngë të realizuara nga vetë Shkumbini janë produkte që tregojnë dhe për jetën e tij për momente që çdokush nga ne përjeton çdo ditë. Ti e dëgjon një projekt të tij muzikor dhe kupton që i flasin sytë në çdo sekondë, a thua se kërkon miratimin e audiencës, a thua se po e përjeton në atë moment të interpretimit gjënë.

Por sigurisht që përjetohet atëherë kur e ke shkruajtur dhe sa herë që e interpreton një këngë të caktuar, janë fjalë të shpirtit, janë fjalë zemre që kush më mirë se një artist din t’i përcjellë në mënyrën e duhur.

Shkumbini foli në këtë intervistë rreth karrierës së tij, pse ka zgjedhur baladat për të mbërritur tek publiku dhe çmenduritë që fansat kanë bërë për të etj.

Intervistoi: Ada Kacmoli

Çfarë kujtoni me nostalgji nga momentet e para të daljes tuaj në skenë?

Kam qenë 18 vjeç kur kam performuar për herë të parë, ndjenjë e veçantë, emocione. Gjithmonë shihja një rrugë të gjatë dhe të vështirë para meje për të arritur deri te qëllimi që i kisha vendosur vetes.

Sa e vështirë ka qenë për të krijuar emrin që mbani sot?

Në kohën e tanishme ku shumë pak vlerësohen vlerat artistike është vështirë të krijosh “pushtet” në estradë. Unë që në fillimet e mija por edhe tani gjeta rrugën e duhur dhe njerëzit e duhur me të cilët bashkëpunova. Falë Zotit, familjes edhe falë bashkëpunëtorëve të mi jam këtu ku jam sot.

Shumica e këngëve tuaja janë balada. Pse pikërisht kjo zgjedhje?

Baladat më përshtaten më shumë me stilin që kam zgjedhur. Përcjellin më shumë emocion. Këngët e mija më të dëgjuara janë balada. Baladat kanë vlerë Artistike Kombëtare. Duke pasur parasysh këtë fakt jam shumë i kujdesshëm me tekstet, muzikën dhe orkestrimin.

Aq melankolik jeni edhe në jetën tuaj të përditshme?

Jeta ime artistike dhe ajo private ndryshojnë shume. Në skenë jam Shkumbin Ismaili, kurse në jetën private mbetem Shkumbini i njëjtë për të gjithë :).

Ku e gjeni frymëzimin për tekste të atilla që gjithmonë shprehin vetëm vuajtje dhe mungesë dashurie? Është thjesht imagjinata juaj sepse tregu kërkon këtë gjë apo një pjesë e jetës suaj personale lidhet me muzikën që ju bëni?

Një këngë për mua është si një film, ku regjisori jam unë. Qoftë një këngë e bazuar në jetën reale apo imagjinatën time unë mundohem ta sjell në mënyrën më të mirë. Fundja jemi njerëz të gjithë dhe përjetojmë shumë gjëra në jetë. Kemi momente të mira dhe të vështira. Thuajse të gjithë këngët e mija kamë nga një të vërtetë, nga një realitet që na ka ndodhur të gjithëve qoftë edhe një herë në jetë.

Kush ka qenë dedikimi më i çuditshëm dhe dedikimi më i bukur që një fans ka bërë për ju?

Ka shumë, por do të veçoja disa tatuazhe të realizuara nga fansat që përmbajnë vargje të këngëve të mija.

A i bashkon muzika shqiptarët?

Po është e vërtetë i bashkon! Kohën e fundit jam prezent në shumë koncerte, aktivitete anembanë botës ku jetojnë shqiptarë dhe është muzika ajo që na bashkon.

Cilën këngë do të veçonit në repertorin tuaj më së shumti dhe pse?

Ngaqë të gjitha këngët i kam realizuar vetë nuk mund të veçoj ndonjërën.

Cili nga projektet muzikore tuaja ka qenë totalisht real në çdo germë të nxjerrë nga shpirti? Dua të them përshkruante çdo gjë të momentit kur ju e shkruat, njëjtë sikur fansat ta përjetonin së bashku me ty “dhimbjen”?

Të gjitha këngët e mija kanë një realitet brenda tekstit. Kam edhe tekste, të cilat kam konsultuar me persona të kësaj “lemije”.

Aftësinë për të kënduar e keni të trashëguar apo e keni dhunti dhe nuk ka lidhje me familjen?

Po e kam trashëgimi, por dhe dhunti. Të dyja këto duhen kultivuar.

Kush është njeriu më i shtrenjtë për Shkumbinin?

Familja!

Çfarë nuk t’i falte kurrë Shkumbini një miku, një shoku, një familjari?

Mosmirënjohjen nuk e toleroj në asnjë moment!

A jeni penduar ndonjëherë për diçka që keni bërë? A e keni gjetur prehjen te muzika?

Unë jam realist dhe gjërat i marr ashtu siç janë dhe nëse për diçka pendohem atëherë kuptohet që kam gabuar dhe ndoshta ndodh që këtë ta shpreh nëpërmjet këngës.