“KRENARË QË JEMI SHQIPATRË”/ Artistët që i treguan shqiponjën botës: Nga Dua tek Kledi (FOTO) – AlpeGossip
“KRENARË QË JEMI SHQIPATRË”/ Artistët që i treguan shqiponjën botës: Nga Dua tek Kledi (FOTO)

“KRENARË QË JEMI SHQIPATRË”/ Artistët që i treguan shqiponjën botës: Nga Dua tek Kledi (FOTO)

Festat e Nëntorit kanë mbërritur dhe kudo ndjehet atmosfera festive. Ngjyrime kuq e zi, simboli i shqiponjës dhe një flamur në çdo dritare, kjo është vetëm diçka nga shumë gjeste të tjera patriotike. Ka dhe nga ata që i kanë treguar botës se sa vlen “të qenurit” shqiptar. RevistaWho.Com ka zgjedhur t’ju rikujtojë disa nga personazhet e njohur që i treguan botës “shqiponjën”.

Dua Lipa: Nisim me këngëtaren më “IN” të momentit në të gjithë botën dhe më të paguarën në Britaninë e Madhe. Dua na ka bërë krenarë të gjithëve, jo vetëm me muzikën që realizon e stilin që ka, por sepse nuk lë rast pa e përmendur që është shqiptare. Ajo ka folur shqip në evente të ndryshme, sa që publiku botëror janë bërë tepër kuriozë për të mësuar më shumë rreth vendit tonë.

 

Rita Ora: E kur jemi te Britania, një tjetër këngëtare e njohur shqiptare që na ka nderuar atje është Rita Ora. Nuk e dimë nëse ka mbetur anglez që nuk ka dëgjuar për rakinë apo byrekun shqiptar, se për muzikën dhe vallet popullore Rita i ka promovuar shumë mirë. Nuk mund të themi asgjë për shqiponjën se tashmë është fakt i kryer, aty ku është Rita s’ka si mos të jetë ky simbol.

 

Kledi Kadiu: Balerini Kledi Kadiu mund të quhet fenomeni i baletit shqiptar. Ai jo vetëm që i ka treguar Italisë, por dhe gjithë botës se çdo të thotë të jesh shqiptar, të kalosh nëpër shumë sfida plot vështirësi dhe pa mbështetje. Kledi jo vetëm që ka shpalosur talentin e tij si balerin, por ka kaluar edhe në fusha të tjera si ajo e të shkruarit. Ka botuar një libër biografik, ku tregon me detaje për vendlindjen dhe çfarë ka mësuar nga ajo. “Shqiponja” është ngritur dhe në këtë rast.

 

Ermonela Jaho: Sa krenarë duhet të ndihemi që kemi një artiste të tillë. Kur kërkojmë në internet për Ermonelën na shfaqet togfjalëshi “soprano shqiptare me famë botërore”. E ku ka ndjekës të muzikës klasike që mos ta di që ajo është shqiptare! Rolet e shumta të saj kanë qenë tepër të rëndësishme, çdo artist i muzikës klasike do t’i dëshironte. Si mund të mos përmendim rolin e Mimit (La Bohème e Puçinit), në La Fenice, e më pas në rolin e Suzanës (Dasma e Figaros), si edhe në Trieste në rolin e Mikaelës (Karmen). Ermonela Jaho ka treguar për të gjithë botën se çdo të thotë të jesh shqiptar.

 

Granit Xhaka: Kur bëhet fjalë për fushën e futbollit kemi talente pafund që i kanë treguar botës prejardhjen. Kemi përzgjedhur si përfaqësues futbollistin Granit Xhaka dhe arsyeja është shumë e thjeshtë. Graniti edhe përpara “armikut prej një jete” nuk u dorëzua. Në ndeshjen kundër Serbisë “nxorri” kthetrat e shqiponjës dhe i tregoi të tjerëve se sa vlen një shqiptar në atë çfarë zgjedh të marrë përsipër. I cilësuar si një nga futbollistët më të paguar, ai na bën të themi me plot dëshirë “Krenarë që jemi shqiptarë”.

 

Emina Cunmulaj: Nuk mund të linim pa folur dhe për modelingun. Emina është përfaqësueja më e denjë e vajzave plot stil në botë. Modestia që e karakterizon atë, ka bërë që të dallohet nga të tjerat. Bukuroshja shumë e njohur jo vetëm në SHBA, por në gjithë botën nuk nguron që në rrjetet sociale të tregojë gjithçka për Shqipërinë, nisur nga ushqimet e duke vazhduar me problemet e vendit, duke bërë që në këtë mënyrë të ftojë të tjerët që ta ndihmojnë. Ajo, së fundmi, ka bërë dhe bamirësi, ku ndihmoi një familje shqiptare në nevojë. Përveç të tjerash, Emina e thotë shpesh frazën “O sa mirë me qenë shqiptar”.