Inida Gjata, e njohur me emrin artistik Zhaku, prej vitesh jeton në Gjermani, së bashku me bashkëshortin e saj, Christian Kreuz.
Çifti ishin të ftuar dje tek “Rudina” dhe gjatë bisedës në studio, Zhaku zbuloi se largimi nga Shqipëria ishte vendimi më i mirë që ka marrë, pas depresionit dhe krizës që kaloi këtu në moshën 31-vjeçare.
Këngëtarja tregoi se kishte marrë vendime të gabuara për jetën profesionale, siç ishte heqja dorë nga Kënga Magjike dhe marrja pjesë tek “VIP Shtëpia”.
Zhaku tha se aty brenda ishin përdorur shumë intriga dhe kur kishte dalë jashtë shtëpisë së famshme, kishte lexuar lajme të shumëllojshme për veten, të cilat nuk i kishin pëlqyer aspak.
Nisur nga kjo periudhë e vështirë, artistja tha se largimi drejt Gjermanisë për të kishte ardhur në momentin e duhur, pasi këtë vendim, ajo e shihte si një “rilindje” për veten, pra si një mundësi për të nisur çdo gjë nga e para.
Megjithatë, Zhaku shtoi se e vetme nuk do ta kishte marrë kurrë një iniciativë të tillë dhe se ishte partneri i saj që e kishte nxitur.
“Po mos të kishte qenë për Christian-in, po mos të kishte qenë për marrëdhënien që kemi, nuk do të kisha shkuar në Gjermani asnjëherë besoj, si refugjate.
Por që më eci mirë edhe në Gjermani, më nisi jeta nga e para, ishte e domosdoshme, si një lloj feniksi kur rikthehet prej hirit, bëhet një i ri. Ashtu u bëra edhe unë, nisa një jetë të re plotësisht.
Edhe pse isha 31 vjeç, nuk mund të shkosh vetëm, është ndryshe kur mikpritesh atje si zonja Kreuz dhe ndryshe kur shkon si hallexhi. Me thënë të drejtën, këtë ia them shumë shqiptarëve kur duan të emigrojnë se mendojnë se do të shpëtojnë nga mjerimi, por në fakt, si refugjat shqiptar, si azilant, do jetosh në kushte jo të mira.”,- u shpreh ajo.