Me prejardhje ilire apo biblike, kuptimi origjinal i emrave të fëmijëve të VIP-ave shqiptarë – AlpeGossip
Me prejardhje ilire apo biblike, kuptimi origjinal i emrave të fëmijëve të VIP-ave shqiptarë

Me prejardhje ilire apo biblike, kuptimi origjinal i emrave të fëmijëve të VIP-ave shqiptarë

Na ndodh shpesh pothuajse të gjithëve që kur marrim vesh një lajm të gëzueshëm për ardhjen në jetë të një fëmije, mendja na shkon tek emri që atij apo asaj do t’i vihet. Një mori emrash mund të na vijnë në mendje dhe shumica prej nesh mundohet që zgjedhja e bërë të jetë e duhura. Të njëjtën gjë kalojnë edhe VIP-at tanë. Me siguri na ka pëlqyer ndonjë emër i fëmijës së ndonjë personazhi të famshëm, por mbase nuk dimë origjinën e tij. Padyshim që të gjithë e kanë një prejardhje, qoftë bashkim emrash, fetarë, ose edhe me prejardhje nga gjuhët e lashta. Më poshtë ju listojmë disa prej tyre me historitë përkatëse.

Emra ilirë:

Jonida Maliqi
Këngëtarja e njohur, Jonida Maliqi ka vendosur ta quajë djalin e saj Dan. Përveçse është emër me prejardhje biblike, që do të thotë gjyqtar, është edhe një emër i lashtë ilir. “Në fakt, emrin ia ka vendosur babai i bashkëshortit tim, djalit. Edhe ne ishim shumë dakord, sepse na pëlqeu dhe donim një emër shqiptar. Menduam se ky emër shkon edhe me mbiemrin Prizreni”, pohon Jonida Maliqi.

Ledina Çelo
Këngëtarja me linjat e një modeleje, Ledina Çelo, gjithashtu i ka vënë djalit një emër shqiptar, Erlis (erë lisi).

Vedat Ademi
Jonart, që i kthyer mbrapsht bën ‘arti jonë’. Ky është kuptimi i emrit të djalit të Vedat Ademit.

Orgesa Zaimi
“E quajtëm Bora, që jeta e saj të bekohet me bardhësi dhe mbarësi”, – tha këngëtarja Orgesa Zaimi pas lindjes së vajzës së parë.

Emra me prejardhje të huaj:

Rudina Magjistari
Për moderatoren Rudina Magjistari, emri i së bijës, Mia, mbart një histori të veçantë. Ndërsa ishte në një udhëtim të gjatë, bashkë me Xhavin, partnerin e saj, mendonin për emra për vajzën që do të lindnin. Kishin menduar që një nga “pretendentët më të fortë” ishte Mia. “Kur u ktheva në Tiranë dhe po flisja me mamin, – tregon Rudina, – ajo befas më tha që kishte menduar një emër për vajzën, një që asaj i dukej shumë i bukur, por që kishte frikë se mua nuk do të më pëlqente ngaqë ishte pak i shkurtër. Pa mbaruar ajo fjalinë, unë e gjeta ‘Mia?’ dhe ajo më tha ‘Po’. Nuk më duhej shenjë tjetër për të vendosur që vajza do të quhej pikërisht kështu”, është shprehur moderatorja për “Living”.

Tuna Sejdi
Këngëtarja Tuna Sejdi pak muaj pa mbushur 32 vite, përjetoi ndjenjën e papërshkrueshme të të bërit nënë me ardhjen në jetë të Tianit, si fryt i dashurisë me Patris Berishën. Tian ka dy kuptime. I pari si i shenjtë, kurse kuptimi i dytë dhe më i përhapur është ai që derivon nga mitologjia kineze. Tian është një prej koncepteve kineze më të vjetra për kozmosin si nocion kyç në mitologjinë, filozofinë dhe religjionin e lidhur me këtë popull. Figura të ndryshme në histori kanë pasur këtë emër, teksa Tian mban emrin edhe një vargmal në Azinë Qendrore me pikën e Fitores si majën më të lartë në lartësi mbidetare.

Nora Istrefi
Këngëtarja Nora Istrefi dhe Robert Berisha e pagëzuan fëmijën e tyre të parë, që është vajzë me emrin Rene. Një emër shumë i rrallë ky për ne. Rene është emër i cili lindi dhe përdoret më së shumti në vendet frëngjisht dhe spanjishtfolëse. Ky emër në frëngjisht ka kuptimin e rilindjes dhe Rene përdorët për të dy gjinitë. Dallimi i gjinisë së këtij emri bëhet në të shkruar, René shkruhet për meshkuj, ndërsa Renée për femra. Kështu që emri i vajzës së Norës shkruhet Renée.

Zaimina Vasjari
Këngëtarja shqiptare Zajmina Vasjari është bërë nënë për herë të parë. Origjina e emrit Khloe ose në anglisht Chloe, vjen nga greqishtja që ka kuptimin e lulëzimit. Emri është përdorur si epitet për stinën e verës dhe perëndeshën greke të bujqësisë dhe pjellorisë “Demeter”.

Suada Sherifi
Ish-”Miss Albania”, Suada Sherifi ndërsa e ka rimarrë veten pas lindjes, zbulon edhe emrin e vajzës së saj, por edhe kuptimin e tij. E vogla e bukuroshes quhet Deisy dhe kuptimi i emrit është “Syri i ditës’ ‘Day-s eye’, siç shpjegon Suada. Ajo ka bërë sot një postim në “Instagram” ku shkruan: “Do të më duhej një fuqi e mbinatyrshme për të përshkruar emocionet që më ka dhënë vajza! Falënderoj Zotin e madh dhe të gjithë ju që më keni uruar!”.

Floriana Garo
Moderatorja bukuroshe, Floriana Garo zbuloi se vajza e saj ka ardhur në jetë në 12 mars. Nëpërmjet postimit në “Instagram” ajo ka treguar edhe emrin e vogëlushes, Adia. Emri Adia vjen nga sanskritishtja dhe përkon me emrin e Perëndeshës Durga. Adia do të thotë fuqia origjinale nga janë krijuar të pesta shqisat dhe pesë elementët e jetës. Ky emër ka kuptimin e fuqisë, prej së cilës buron i gjithë universi. Në disa vende emri Adia ka kuptimin edhe të një dhurate ose të zbukurimeve të Zotit. Ky është me të vërtetë një emër i goditur, sepse tashmë Adia është gjithë universi i mami Florianës.

Emra biblikë:

Aurela Gaçe
Këngëtarja e mirënjohur Aurela Gaçe ka vendosur që vajzës së saj të parë t’i vendosë emrin Grace (Greis) që do të thotë “hiri i Perëndisë”. Në Amerikë, këngëtaren e thërrisnin Aurela Grejs për shkak se nuk e shqiptonin mirë mbiemrin, gjë që përcaktoi edhe emrin e vogëlushes së saj. Ndërsa emri i vajzës së dytë Abigail (gëzimi i babit) Isabelle (e përkushtuar në Zot). Abigail Isabelle Gjonaj. Bashkëshorti i saj ka qenë ai që ka zgjedhë këto dy emra për vogëlushen.

Soni Malaj
Këngëtarja Soni Malaj e quajti vajzën Ana, që do të thotë “Zoti më favorizon mua” dhe që nderon kujtimin e gjyshes së ish-bashkëshortit të saj, Mirko.

Vikena Kamenica
Vajza e mezosopranes Vikena Kamenica u quajt Krista, sepse lindi për Krishtlindje.

Ermal Mamaqi dhe Amarda Toska
Emri i fëmijës së parë të Ermal Mamaqit dhe Amit, Noel ka origjinë hebreje. Kuptimi i tij është shumë i veçantë që do të thotë “i fortë ose i vullnetshëm”. Ndërkohë që këtë muaj, çifti simpatik i “showbiz”-it u bënë prindër për herë të dytë, por kësaj radhe me një vajzë. I ftuar në emisionin më të ri në televizionin “Klan”, “Në kurthin e Piter Pan”, Ermali e zbuloi vetë kuptimin e emrit të vogëlushes. “Po e them këtu për herë të parë, vajza ime quhet Sia”, ka thënë ai. Më pas Ermali ka shtuar se ky është një emër biblik dhe ka kuptimin e fitores.