Pedagogia Nora Malaj ka folur për eksperiencën e Moza Ahmetit në “Ferma VIP”, duke zbuluar se ka qenë një nga personat që e ka mbështetur për t’u bërë pjesë e formatit.
E ftuar në emisionin “Ferma Club”, Malaj tregoi se Moza Ahmeti e kishte konsultuar përpara se të pranonte ftesën për të hyrë në reality show.
“Kur më tha që do hyjë te Ferma, erdhi dhe më pyeti: ‘Nora, si thua të hyj te Ferma?’ I thashë: ‘Hyr’. Më tha: ‘Vjen dhe ti me mua?’ Më pas më tha se duhej të fliste në universitet. I thashë të mos mërzitej, sepse do ta mbështesnin. Unë dhe Arjan Curri dolëm vullnetarë dhe i dhamë bekimin për të hyrë”, u shpreh Malaj.
Sipas saj, Moza Ahmeti përfaqëson një brez që ka kaluar sfida të shumta dhe ka qenë shpesh përpara kohës së vet.
“Moza përfaqëson brezin tim të viteve ’60. Ka provuar sfidat e viteve para dhe pas ’90-ës. Ka qenë avangardë kur të tjerët nuk guxonin. Ka thyer tabu në atë kohë. Ka një shpirt të lirë që i pranon të gjithë. Moza thotë gjëra që të tjerët kanë frikë t’i thonë”, deklaroi ajo.
Duke komentuar sjelljen e këngëtares brenda fermës, Malaj theksoi se publiku po sheh një anë më njerëzore të saj, por paralajmëroi se balanca mes rolit dhe realitetit mbetet e rëndësishme.
“Moza shfaqet në dimensionin njerëzor, në dimensionin e asaj që i ka munguar dhe dëshirës për të sfiduar kohën. Është midis rolit dhe realitetit. Por kjo kërkon shumë kujdes, sepse nëse kalohet masa, efekti mund të jetë i kundërt”, tha ajo.
Në fokus të diskutimit ishte edhe raporti mes Mozës dhe Zhakut, një çështje që ka ngjallur debat mes ndjekësve të formatit. E pyetur nëse Moza Ahmeti ka qenë e sinqertë kur deklaroi se nuk e njihte Zhakun jashtë fermës, Malaj dha një përgjigje me rezerva.
“Këtë nuk di ta them. Ajo mund ta ketë në konceptin që nuk e ka mike. Nëse themi që e kemi të njohur është ndryshe. Mik është fjalë e madhe. Nëse Moza e ka thënë në kontekstin e miqësisë, nuk gënjen. Në kontekstin e njohjes, mund të ketë gënjyer”, u shpreh Nora Malaj.













