Të shuma kanë qenë reagimet në rrjet pas performancës së Ronela Hajatit në skenën e madhe të “Eurovision” në Torino të Italisë. Gjithashtu u komentua gjatë edhe skualifikimi i Shqipërisë për në finale.
Kënga “Sekret” ka arritur miliona shikime brenda 24 orëve, por pavarësisht kësaj ka nga ata që nuk ia kanë kursyer kritikat, ndonjëherë edhe të rënda.
Kënga e Ronelës i bëri të gjithë ndjekësit anë e mbanë botës të dëgjojnë, këndojnë apo të kërcejnë nën ritmet e saj dhe kjo gjë u vu re nga brohorimat dhe koncertet e shumta që artistja ka zhvilluar.
E teksa Hajati po shijon suksesin me koncertet e saj të mbushura plot, ka pasur dhe personazhe të cilët mendojnë se performanca e Ronelës nuk ka qenë aspak i denjë për të përfaqësuar Shqipërinë, madje disa e quajtën ‘turp’ apo dhe reagimet në lidhje me veshjen e papërshtatshme si të sajën ashtu dhe të balerinëve me fustanellat e tyre.
Por këtyre kritikave u ka kthyer përgjigje këngëtarja e njohur përmes disa ‘fakteve’ të postuara në “Instastory”. Ajo ka treguar suksesin që po korr kënga e saj dita ditës.
Në një postim, Ronela ka ironizuar personazhet të cilët e kanë gjykuar për tekstin e këngës dhe tregon suksesin e madhe që “Sekret” ka marrë deri më tani. Kjo gjë mund të dallohet prej shikueshmërisë që ka marrë dhe renditjes në shtete të ndryshme.
“Nuk është gjë kënga”- i ka shkruajtur Dj Eri Dee, ndërsa artistja i është përgjigjur: “Na turpërove”.
Gjithashtu ajo ka treguar se kënga e saj ka arritur në 2 milion shikime dhe krahas saj shkruan
“2 milionë! Kurrë skam marrë kaq shumë dashuri nga njerëz që nuk flasin shqip”, duke iu referuar kështu komenteve negative të cilat më së shumti kanë qenë nga shqiptarë të cilët i dolën kundër artistes.