Dashuria dhe emocionet nuk fshihen dhe kjo duket se vlen plotësisht për Katy Perry dhe Justin Trudeau, të cilët kaluan një fundjavë të paharrueshme në Coachella.
Këngëtarja dhe ish-kryeministri i Kanadasë ndanë në rrjetet sociale momente nga eksperienca e tyre, duke vënë në fokus jo vetëm festivalin e muzikës, por edhe marrëdhënien e tyre.
Çifti udhëtoi drejt shkretëtirës së Kalifornisë për të ndjekur performanca të mëdha, mes tyre edhe atë të Justin Bieber. Në fotot e publikuara nga Perry në Instagram, ata shfaqen duke shijuar kohën së bashku, duke ecur dorë për dore dhe duke kënduar.
Atmosfera festive vazhdoi deri në orët e para të mëngjesit, me këngëtaren që u pa duke kërcyer në klub nate dhe duke shijuar “street food” pas koncerteve.
Kujtojmë gjithashtu se Katy Perry dhe Justin Trudeau janë parë së bashku edhe në World Economic Forum në Davos, ku këngëtarja shoqëroi partnerin e saj gjatë aktiviteteve të forumit.
Perry kishte një lidhje afatgjatë me Orlando Bloom, me të cilin u nda vitin e kaluar. Që prej asaj kohe, duket se ajo ka hapur një kapitull të ri në jetën personale, ndërsa marrëdhënia me Trudeau po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendjen e mediave.
Madje, komente pozitive për këtë lidhje ka bërë edhe djali i politikanit kanadez, Xavier Trudeau, i cili është shprehur me fjalë të ngrohta për këngëtaren, duke theksuar se ajo është e afrueshme dhe mbështetëse, sidomos në lidhje me interesin e tij për muzikën.


















