Nik Xhelilaj flet për rolin e “SHQIPTARIT” dhe karrierën ndërkombëtare: Berlini ishte ide shum… – AlpeGossip
Nik Xhelilaj flet për rolin e “SHQIPTARIT” dhe karrierën ndërkombëtare: Berlini ishte ide shum…

Nik Xhelilaj flet për rolin e “SHQIPTARIT” dhe karrierën ndërkombëtare: Berlini ishte ide shum…

Aktori i mirënjohur shqiptar, Nik Xhelilaj ka kohë që është shpërngulur në Berlin të Gjermanisë, aty ku edhe po zhvillon karrierë ndërkombëtare, duke u bërë pjesë e shumë projekteve të njohura kinematografike.

Këto ditë, ai ndodhej në Kosovë për festivalin Pri Film Fest, ku ndër të tjerash po garon edhe filmi “Zer”, një film në të cilin aktori shqiptar luan rolin kryesor.

Ai në një intervistë për Telegrafin flet rreth ndryshimeve në karrierën e tij, duke prekur ndër të tjerash se si po i ecën jetesa në Berlin.

Nik Xhelilaj: Karriera ndërkombëtare nëse mund të quhet po ecën mirë, ka filluar në Turqi, Portugali, në Angli diçka dhe së fundmi në Gjermani, mirë po shkon. Edhe pse kam dy vite që jam në Berlin si bazë, më ka marrë malli për Stambollin. Shkoj shpesh, nuk bëj dot pa Stambollin. Por që Berlini ishte ide shumë e mirë, dhe vazhdon të jetë ide shumë e mirë për lëvizje në karrierë, është si të thuash një urë ndërlidhëse për perëndimin. Por edhe Berlini në natyrën e vet, në gjithë Gjermaninë është më multi-kulturor si qytet, të ofron mundësi tjera, ka një energji tjetër pozitive, në raport me kinematografinë është edhe më aktiv. E vetmja që më shkakton stres është gjuha, por edhe ajo po zgjidhet dalëngadalë. Unë sapo po vi nga xhirimet e një seriali atje, po vijnë oferta të vazhdueshme, kështu që mirë po ecën.

Megjithëse jeton larg, ai thotë se e gjen herë pas here kohën që dy herë në vit ta vizitojë Shqipërinë, për tu çmallur me njerëzit e tij.

Nik Xhelilaj: Në Shqipëri shpesh jo, por dy herë në vit gjithsesi vi.

Filmi “Zer” është një projekt shumë i veçantë, pjesë e së cilit u bë aktori Xhelilaj. Ai në vazhdimin e rrëfimit për Telegrafin tregon për ngjarjen që zhvillohet në këtë film, me të cilin ka krijuar një lidhje emocionale shumë të veçantë.

Nik Xhelilaj: Filmi “Zer” tregon historinë e një djali të ri muzikant, i cili është me origjinë kurde dhe turke të ndërthurur. Ai vjen nga New Yorku në një udhëtim të gjatë për të gjetur prejardhjen e një kënge që quhet “Zer”, e dëgjon për herë të parë në gjuhën kurde, gjuhë të cilën s’e njeh nga gjyshja e tij, pasi gjyshja e tij vjen në New York për tu kuruar nga kanceri dhe nuk shpëton dot, por krijohet një lidhje e veçantë mes gjyshes dhe personazhit kryesor. Për të gjetur, ai bën një udhëtim deri në zonat e thella. Unë këtë film pavarësisht se nuk është xhiruar në Shqipëri, e kam shumë për zemër sepse edhe fshatrat dhe personazhet në Turqi janë shumë të përafërta.

Niku është një nga aktorët e rinj më të dashur për publikun shqiptar, i cili kujtohet veçanërisht për rolin e tij në filmin “Del Albaner (shqiptari)”, i cili ishte një sukses i jashtëzakonshëm – një film që pasqyronte mentalitetin dhe traditat shqiptare.

I pyetur nga Telegrafi nëse kanë menduar për realizimin e ndonjë versioni të dytë të këtij filmi, aktori tha se shkëlqimi që pati pjesa e parë nuk do duhej të humbiste me realizimin e një pjese të dytë.

Nik Xhelilaj: Nuk e kam menduar në fakt, por do kisha dëshirë po të isha producent ose po të kisha shtëpi prodhuese, do bëja një serial në lidhje me atë temë, por edhe tani ne personazhet jemi rrit, kemi ndryshuar, nuk e di se çfarë do të mund të bënim nëse do ta nisnim një version të dytë. Unë mendoj se është mirë të mbetet ashtu siç është, vetëm me versionin e parë.

Duke qenë pak larg vendit, aktori thotë se nuk ka pasur mundësinë ta ndjek shumë kinematografinë shqiptare, megjithatë shfrytëzon festivalet apo eventet e ndryshme për tu takuar dhe për tu çmallur me kolegët e profesionit të tij.

Nik Xhelilaj: Me thënë të drejtën jam pak larg, pasi jetoj prej shtatë vitesh larg Shqipërisë, dhe nuk e kam ndjekur shumë. Për mua sa herë që ka oferta vi me qef në Shqipëri, por nuk është se kam shumë kontakte dhe s’e di përafërsisht se çfarë prodhohet. Mesa kam dëgjuar, në Kosovë është pak më mirë mbase prodhohen pak më shumë në Shqipëri, por aty-aty janë. E vetmja mundësi ku takohem me filmbërësit shqiptarë, me miqtë, shokët e mi është festivali “Belinale”. Atje është shumë këndshëm, pasi bëhen bashkë Kosova dhe Shqipëria.

Si aktor që është, synimi për të fituar një çmim nuk i mungon. Megjithëse është shpërblyer disa herë në festivale, ai thotë do i mirëpriste edhe pjesëmarrjet dhe çmimet nga festivalet ndërkombëtare dhe prestigjoze të filmit.

Nik Xhelilaj: Çdo aktor e ka qejf festivalin e Kanës, dhe do synoja të isha atje, por unë personalisht e kam me më shumë qejf Festivalin e Venecias. Në të ardhmen, mbase këtë vit ose vitin tjetër po xhirojmë dy filma dhe pse jo, po të dojë Zoti, filmi kur e ka thënë edhe Pirro Melkani: “Po t’i dojë qefi filmit, del i mirë”, edhe pastaj shkon vetë në festivale.

Për fund, i pyetur se cili është çelësi i suksesit dhe një mesazh që do të jepte për të rinjtë që synojnë kinematografinë, Niku tha se mos-dorëzimi dhe puna e vazhdueshme janë rruga më e mirë drejt suksesit.