"NJË UDHËTIM SOLAR"/ Në ishullin ku lindi Perëndesha e Dashurisë (VIDEO) - AlpeGossip
“NJË UDHËTIM SOLAR”/ Në ishullin ku lindi Perëndesha e Dashurisë (VIDEO)

“NJË UDHËTIM SOLAR”/ Në ishullin ku lindi Perëndesha e Dashurisë (VIDEO)

Një udhëtim solar nga Perëndimi në Lindje. Në tokën e diellit, miteve, plazheve dhe gjireve intime, por edhe historive që të mbajnë pa frymë. Qipro është cilësuar si vendi ku qielli, perënditë dhe toka bashkëjetojnë në një klimë paqësore në legjenda që ju mirëpresin në çdo hap tuajin aty. Qipro ndryshe quhet edhe ishulli pa stinë.

Autorja e programit “Check-In”,  Albana Nanaj ishte e shoqëruar në këtë udhëtim nga gazetari Dritan Laci. Sëbashku ata prezantuan atraksionet turistike të Qipros.

“Qipro është ishulli i tretë më i madh i Mesdheut, një pikë strategjike mes tre kontinenteve, Evropës, Afrikës dhe Azisë. Sipërfaqja e ishullit është 9.251 km katror dhe ka një popullsi prej 1 milion e 200 mijë banorë. Ishulli ku lindi Afërdita, Perëndesha e Dashurisë, jeton i ndarë me një mur gardhi që prej vitit 1974. Udhëtimi me ndalesë në Stamboll drejt aeroportit të Ercanit zgjat 1 orë e gjysmë. Si autoritetet turko-qipriote ashtu edhe ato greko-qipriotë nuk i kanë fort për zemër turistët që zgjedhin të zbresin në aeroportin e tyre dhe paratë t’i shpenzojnë në pjesën rivale turistike të ishullit. Gjithsesi eksplorimin tonë  e filluam nga Qipro Greke”, tha Nanaj.

Paphos, kryeqyteti i ishullit për shumë shekuj, është si një muze i hapur, i pasur me thesar të çmuar historik, e  deklaruar nga UNESCO si trashëgimi kulturore e humanitetit. Për ata që janë të dhënë pas arkeologjisë, në parkun arkeologjik të këtij qyteti gjenden mozaikë e dysheme të vilave romane nga më të bukurat në gjithë Mesdheun oriental.

Në pjesën më tipike dhe të vjetër të Paphos ndodhet kisha e veçantë anglikane Panagia Chrysopolitissa, e cila u ndërtua në shekullin XIII, por qëndron në rrënojat e bazilikës më të madhe bizantine në Qipro.

Vëmendje tërheqin edhe mozaikët në modele me lule dhe forma gjeometrike si dhe kolonat e bëra  nga graniti dhe mermeri, midis eshtrave të së cilave  mund të admirosh Kolonën e Shën Palit, ku thuhet se Shën Pali u torturua dhe u vra për predikimin e Krishtërimit, para se Guvernatori romak i ishullit t’i  kthehej Krishterimit. Qipro në fakt është vendi i parë në botë i qeverisur nga një i krishterë. Sot kjo bazilikë shërben si një vend pelegrinazhi dhe martesash për banorët e krishtere të ishullit.

Fshati Omodos është një tjetër atraksion turistik i Qipros. Është një fshat i vogël në zonën malore të Qipros të quajtur Trodos, në atë që njihet si rruga e fshatrave të verërave. Fshati me vetëm 300 banorë, ka një gjallëri të admirueshme dhe është i mbushur me turistë.

“Omodos është një fshat që u krijua nga arabët për t’u shpëtuar sulmeve të piratëve”, tha Laci.

Manastiri i Shenjtë i Virgjerëshës së Kikos është po ashtu një nga kultet e pelegrinazhit më të vizituara në Qipro. Besimtarët këtu udhëtojnë me kilometra të tëra për tu lutur pranë ikonës së Virgjereshës Mari. Ikona qëndron e fshehur gjithë kohës pas një cope pëlhurë, ndërsa dora qëndron jashtë. Besimtarët besojnë se nëse do të shikojnë ikonën do të verbohen.

Hera e fundit kur ikona u zbulua ishte disa vite më parë kur thatësira preku Qipron dhe etërit e manastirit e morën atë duke çuar lutje që të binte shi. Udhëtimi u mundësua nga “Turkish Airlines”.