Noizy kërkon falje/ Përfundon seanca gjyqësore për sherrin mes OTR dhe BabaStars (FOTO) – AlpeGossip
Noizy kërkon falje/ Përfundon seanca gjyqësore për sherrin mes OTR dhe BabaStars (FOTO)

Noizy kërkon falje/ Përfundon seanca gjyqësore për sherrin mes OTR dhe BabaStars (FOTO)

Përleshja e ndodhur dy vite më parë midis anëtarëve të OTR dhe Babastars ku i plagosur rezultoi reperi i njohur Noizy, ka përfunduar në Gjykatën Themelore të Prishtinës.

Ditën e sotme është mbajtur seanca e parë e këtij procesi ku të pranishëm kanë qenë anëtari dhe themeluesi i OTR Noizy dhe ish-pjesëtari i Babastars, Albert Krasniqi, të përfshirët kryesorë në këtë ngjarje.

Sipas “KALLXO.com” i pari që ka folur në këtë seancë gjyqësore ka qenë Noizy, i cili e ka pranuar akuzën dhe ka shprehur pendesë për këtë përleshje si dhe ka theksuar se ata tashmë e kanë falur njëri-tjetrin.

“Akuzën e pranoj. E kuptoj shumë mirë. Unë ndihem me të vërtetë fajtor. Nuk e di a do të më pranohet kjo por kërkoj falje, kjo ka ndodhur, ne jemi të rinj dhe e kemi falur njëri-tjetrin. Kemi vendosur që të kaluarën ta lëmë prapa. Jemi takuar edhe me familjen e Albertit dhe me familjen time, kemi vendosur që këto t’i lëmë prapa”, ka thënë Noizy para gjykatës.

Pothuajse të njëjtin qëndrim ka mbajtur edhe ish-pjesëtari i grupit rival Babastars, Albert Krasniqi.

“Po e pranoj fajësinë dhe ndihem shumë keq për rastin që ka ndodhur. Ne jemi pajtuar dhe tashmë jemi miq”, ka thënë Krasniqi. Këto deklarata përforcohen edhe nga fotot e tyre duke darkuar së bashku, foto që bënë xhiron e mediave pak kohë më parë, kur Krasniqi iu kundërvu publikisht themeluesit të BabaStars, Getoar Selimi.

Ndërsa i akuzuari tjetër, Elvis Hyseni nuk është paraqitur në gjykatë pasi aktualisht ndodhet në Angli, të paktën këto kanë qenë argumentet që ka dhënë avokati i tij.

“Prindi i Elvisit më ka njoftuar se ai jeton në Londër dhe nuk ka mundur të gjejë biletë të vijë këtu”, u shpreh avokati dhe në këto rrethana, trupi gjykues vendosi ta veçojë procedurën e gjykimit ndaj Hysenit.

Kujtojmë se përplasja midis dy grupimeve ka ndodhur në datën 13 shtator të vitit 2016 rreth orës 17:15 në parkingun përpara hotelit “Swiss Diamond”, në Prishtinë.