Historinë e tyre të dashurisë e mbajtën të fshehtë për disa kohë, derisa erdhi momenti që e gjithë vëmendja e publikut të përqendrohej tek dasma e Jonida Vokshit dhe Besnik Krapit.
Gjatë intervistës me Jonida Shehun, ku kanë rrëfyer jo pak detaje mbi marrëdhënien mes njëri-tjetrit, ata kanë dhënë edhe një përgjigje për kurreshtarët. “Si nisi kjo histori dashurie?”, është pyetja që lind natyrshëm kur vjen puna tek romanca të tilla, ndërsa Vokshi ka shpjeguar se ata njiheshin shumë më herët nga koha kur vendosën të hidhnin një hap drejt lidhjes. Gjatë bashkëpunimit në serialin “O sa mirë”, ku të dy ishin pjesë e kastit, Jonida e shikonte Besnikun thjeshtë si koleg.
Megjithatë, ajo e pranon se me sensin e tij të humorit, aktori dhe njëkohësisht producenti i shumë filmave bënte diferencën në sytë e saj. Pas një kohe të gjatë, kishte qenë Besniku ai që kishte hedhur hapin i pari. “Nuk e mendoja se një ditë do të ishte burri im”, ka shtuar Jonida. Duket se fati ka dashur që ata të ndajnë jetën bashkë, përpos angazhimeve apo projekteve të ndryshme filmike.