Qëndrimin disa mujor në Shqipëri, Elhaida Dani e përmbyll me albumin e saj më të fundit, të titulluar “Zanin”.
Elhaida, zëri që ka udhëtuar në shumë kompeticione, e ku pothuajse në të gjitha ka marrë trofeun e parë edhe pse karrierën po e zhvillon në Itali, ka zgjedhur që punën më të madhe dhe të dashur të saj ta lërë aty ku e ka nisur.
“Kam punuar gjithë verën që nga qershori ose më përpara, në studio me Elgit Dodën, Kledi Bahitin dhe Alban Kondin duke krijuar muzikë, tekste. E bëra se e kisha të nevojshme, nuk kisha arsye marketingu. E ndjeva shpirtërisht të nevojshme ta bëja në gjuhën time”, tha këngëtarja.
Pesë këngë janë pjesë e Albumit, por për Elhaidën më ta dashurat janë dy. Për publikun ky album vjen si një mozaik për të gjetur aty pjesë që i përgjigjen secilit emocion.
Por, projektet e saj në të ardhmen janë shumë.
“Projekti i parë që do të ndaloj do të jetë në Kore në nëntor të këtij viti. Do të rikthehem në dhjetor në Shqipëri dhe në shkurt do jem sërish në Itali për projekte të reja”, tregoi ajo.
Megjithëse prej pesë vitesh, Elhaida ka prekur skenat më të rëndësishme teatrore, nën rolin e Esmeraldës në veprën “Notre Dame de Paris”, që këngëtarja premton ta sjellë edhe në Shqipëri.
Megjithatë, për të nuk ka qenë e lehtë për të ardhur në ditën dhe sukseset që ajo po korr tani. Vite dedikim dhe krejt e vetme, larg shtëpisë së fëmijërisë dhe vendit fort të dashur, ajo zgjodhi të ndërtonte ëndrrën e saj.
“Në të gjithë këto eksperienca kam qenë, pothuajse gjithmonë vetëm. Sado që kam krijuar lidhjet e mia, miqësitë e mia në të gjithë botën dhe jam shumë krenare për të, luftoj për t’u rritur në karrierë, në mënyrë sa më të pastër, pa kompromise dhe doja t’ia thosha çdo vajze shqiptare: që mundesh”, përfundoi këngëtarja.