PËR FAMË APO PJESË E LOJËS? Pse VIP-at e Big Brother po tregojnë “sekretet” e tyre në shtëpinë e famshme – AlpeGossip
PËR FAMË APO PJESË E LOJËS? Pse VIP-at e Big Brother po tregojnë “sekretet” e tyre në shtëpinë e famshme

PËR FAMË APO PJESË E LOJËS? Pse VIP-at e Big Brother po tregojnë “sekretet” e tyre në shtëpinë e famshme

Big Brother VIP – Ka pak javë që shtëpia më e famshme e të gjithë shqiptarëve ka hapur dyert dhe duket se ka gozhduar përpara ekranit të Top Channel gjithë publikun.

Si asnjëherë më parë, “Big Brother” erdhi në ekranin e publikut shqiptar me një format tjetër dhe special. Shtëpia e cila është krejtësisht e re dhe super e madhe, kësaj radhe ka si banorë personazhe të njohur të ekranit.

Këta të fundit të cilët janë të mësuar nga kamerat, por jo të vëzhguar 24 orë pa pushim, duket se tashmë nuk e kanë problem që publiku i shikon non stop. Madje në disa raste duket sikur harrojnë se dikush jashtë shtëpisë po i dëgjon dhe kanë nisur që të rrëfejnë histori shumë personale të tyre.

Yjet tani po tregojnë një anë krejt tjetër nga çfarë ne jemi mësuar t’i shohim nën filtrin e spektaklit dhe ekranit.

Nga ana tjetër, publiku që i ndjek dhe herë pas here është shumë kuriozë që të dijë sa më shumë për jetën e tyre private, pyesin nëse gjithë këto rrëfime po i bëjnë për më shumë vëmendje, famë apo janë të sinqertë në gjërat që thonë.

Ishte aktorja e dashur për publikun, Arjola Demiri, ajo që tregoi e para historinë e saj me ish-bashkëshortin, që duket se ende i ka lënë plagë të hapura. Teksa ka zbuluar se ish- partneri e ka tradhtuar, ajo ka shprehur dhe dashurinë e madhe që kishte për të, madje u shpreh se e ka dashur më shumë se fëmijët e saj.

“Nuk mund ta besoja që personi që po më lutej mua të mos e tradhtoja, më tradhton vetë. Në fillim mendova se ishte mërzitur për faktin se fëmija i parë na doli vajzë dhe për këtë arsye tentova edhe dy shtatzënitë e tjera. Por ishte e kotë. I shijonte jeta që kishte jashtë, se sa ajo brenda shtëpisë. Por, jam e bindur se nuk do të gjejë asnjëherë atë sinqeritet. E doja më shume se fëmijët, prindërit e mi, ishte qendra e universit, ishte adhurim për mua. E dorëzova veten time komplet te ai”, rrëfeu Arjola gjatë një sfide që “Big Brother VIP” kishte vendosur për banorët.

Ajo madje ka treguar dhe për sakrificat dhe heqjen dorë nga karriera e saj për të rritur fëmijët.

“Shikoja kolegët e mi në skenën e teatrit dhe i thosha vetes pse nuk jam edhe unë aty me ta. E shikoja veten thjesht si një amvisë që rrit fëmijët dhe kaq, shton aktorja e njohur.

Por jo vetëm kaq, pasi Demiri rrëfeu gjithashtu për disa prej banorëve se ka vuajtur nga depresioni si pasojë e ndarjes nga babai e tre fëmijëve të saj. Më tej ajo tregoi se njëkohësisht me këtë periudhë të vështirë ishte edhe shtatzënë me binjakë, të cilët si rrjedhojë e situatës vendosi që t’i abortonte.

“Shkova te mjekja dhe i thashë që s’mund t’i lind këta fëmijë dhe të lutem mi hiq. Gënjeva dhe thash se babai i tyre ishte dakord, por për shkak të një udhëtimi pune nuk ishte prezent”, tregoi aktorja.

Arjola shtoi më pas se kjo periudhë nuk zgjati pak. Edhe gjatë shtatzënisë së saj të katërt aktorja pranoi se ka konsumuar pafund alkool dhe cigare, derisa edhe njëherë ka tentuar të vrasë veten nëpërmjet mbidozës në ilaçe.

Më pas ishte balerini i njohur shqiptar, Ilir Shaqiri, i cili përballë Arjolës vendosi që të rrëfente një prej momenteve më të vështira të jetës së tij. Shaqiri tregoi se vite më parë, e kishte tradhtuar bashkëshorten e tij dhe kishte rrezikuar të humbiste familjen e tij.

“Ishte një histori që nisi si një lojë. Ishte një balerinë që ma hoqi petllën thënë troç. Lozëm aq shumë sa u futa në një labirint. Gruas i thash se do të largohem nga shtëpia derisa të vendoset përfundimisht ç’do të bëjmë. Do humbisja gjithçka nga ajo gjë”, tregoi balerini.

Më tej, ai tregoi se fatmirësisht pati mirëkuptimin e gruas dhe vajza e tyre nuk mori vesh asgjë, derisa martesa u stabilizua dhe ata arritën të shpëtonin marrëdhënien e tyre. Fryt i dashurisë së tyre disa-vjeçare është Emily e cila ka trashëguar talentin e të atit dhe i është përkushtuar baletit, por edhe aktrimit.

Edhe gazetarja e njohur, Paloma, i tronditi të gjithë me rrëfimin e saj teksa bisedonte me Monika Lubonjën. Ajo ka zbuluar dhunën nga bashkëshorti i saj, muzikanti Alandy.

Gazetarja ka treguar të gjithë skenën e momentit kur është dhunuar nga ai. Sipas versionit të Palomës, veprimet që ai ka kryer ndaj saj, ishin shumë të rënda dhe se ajo e ka duruar këtë situatë për 8 vite rresht, pasi Alandy më parë ka pasur një varësi ndaj alkoolit.

“Më kapte kështu për të më përplasur në tokë. Më përplaste në tokë. Dhe unë që mbahesha tek ai, sepse mendoja se do të më plaste koka në tokë si shalqi. Siç ishte nga kuzhina me thikën në dorë dhe unë që i thosha: “Të lutem hiqe thikën”. Më mori nga dera përjashta për të më hedhur në tokë. Aty pastaj mora policinë. U bëmë gazi i botës, po nuk kisha çfarë të bëja. Durova 8 vjet, vitet e fundit u rëndua gjendja. E humbi logjikën”, rrëfeu Paloma. /GAZETA SHQIP/