PËR NJË LËKURË TË PARREZIKUAR NGA KANCERI/ Vendosni SPF çdo ditë, edhe gjatë dimrit – AlpeGossip
PËR NJË LËKURË TË PARREZIKUAR NGA KANCERI/ Vendosni SPF çdo ditë, edhe gjatë dimrit

PËR NJË LËKURË TË PARREZIKUAR NGA KANCERI/ Vendosni SPF çdo ditë, edhe gjatë dimrit

Dielli funksionon në mënyrë misterioze: Nëse i qëndroni përballë, ndjeni rrezet e ngrohta të tij (veçanërisht në kulmin e verës). Nëse shkoni në hije, nxehtësia e rrezeve është më e paktë. Kështu duket se jeni më pak të rrezikuar nëse nuk ekspozoheni drejpërdrejtë ndaj rrezeve të tij, apo jo?

E gabuar, thotë Carly Roman, dermatologe me bazë në Seattle. “Shumica e njerëzve nuk përdorin krem mbrojtës ndaj diellit gjatë dimrit, sepse mendojnë se kanë më pak të ngjarë të preken nga rrezet e tij,” shpjegon ajo për GQ. Roman thekson se vetëm një nga dy llojet e rrezeve ultravjollcë, UVB, është më pak të pranishme gjatë dimrit. Rrezet ultravjollcë A (UVA) janë të pranishme gjatë gjithë dimrit. Për t’u qartësuar:

UVA: rrezet ultravjollcë A njihen si “valët e gjata” dhe përbëjnë 95% të rrezeve që prekin sipërfaqen e Tokës. Ato mund të depërtojnë në lëkurë shumë më thellë se rrezet UVB dhe janë përgjegjëse për shenjat e plakjes (njollat e errëta dhe rrudhat). Ato gjithashtu rrisin mundësitë për kancerin e lëkurës. UVA janë më të rrezikshme dhe mund të depërtojnë xhamin dhe retë.

UVB: rrezet ultravjollcë B njihen si “valët e shkurtra” dhe nuk depërtojnë në lëkurë aq thellë. Ato shkaktojnë skuqje dhe djegie nga dielli. UVB janë më të pranishme nga fillimi i pranverës deri në fund të vjeshtës. Ato kanë më pak gjasa të depërtojnë në xham si UVA. Megjithatë edhe pse zvogëlohen gjatë dimrit, sërish mund të arrijnë sipërfaqen e Tokës.

Kështu që rrezet UVA janë të pranishme edhe gjatë stinës së ftohtë, madje edhe nën hije, madje edhe brenda ambienteve të mbyllura. Madje, depërtojnë edhe nën rroba. Pra, janë të kudogjendshme.

Kësisoj është e kuptueshme rëndësia e përdorimit të kremit me SPF gjatë gjithë vitit. Mendojeni kështu: Nëse tani jeni 30 vjeç, pas 30 vitesh, do të donit të dukeshit më afër moshës 50-vjeçare apo 70-vjeçare? Nëse dëshironi të dukeni të rinj, të keni lëkurë të shëndetshme të parrezikuar nga kanceri, vendosni SPF çdo ditë.